Arrestohen pesë (5) të dyshuar për veprat penale ‘transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore’ , ‘trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor’ dhe ’bashkëkryerje’
Bazuar në informatat dhe hetimet e bëra paraprakisht, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) me datën 2 dhe 3 prill 2019 ka realizuar një operacion policor, që ka rezultuar me kontrollimin e një klinike private në rajonin e Prishtinës dhe me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar për kryerje të veprave penale:
“Transplantim i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore”
“Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”
“Bashkëkryerja
Hetimet rreth këtij rasti kanë filluar disa muaj më parë dhe janë zhvilluar në bashkëpunim dhe koordimin me Prokurorinë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë.
Operacioni policor është mbështetur edhe nga institucionet tjera si: inspektorët shëndetësorë nga Ministria e Shëndetësisë, inspektorët farmaceutikë, zyrtarë nga administrata tatimore dhe njësitet tjera policore.
Si prova materiale janë sekuestruar dosje mjekësore, libra të evidencave, 4 telefona mobilë dhe 500 euro para të gatshme.
Me vendim të Inspektoratit Shëndetësor, për arsye të gjetjes së parregullsive, është mbyllur reparti ku janë kryer shërbimet e IVF në këtë klinikë.
Katër të dyshuarve me urdhër të prokurorit ju është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.