Oficeri i FSK-së, Toger Ylli Dalladaku, ka përfunduar me sukses njërin nga kurset më sfiduese në Ushtrinë Amerikane, “Ranger Course” në mesin e 116 nga mbi 250 ushtarak që filluan këtë kurs, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës.
Paraprakisht, oficeri i FSK-së ka diplomuar me rezultate të larta nga Kursi Bazik për Oficer të Këmbësorise. Toger Dalladaku përgjatë dy muajve të kursit “Ranger” është sfiduar shumë, duke shtyrë limitet fizike dhe psiqike.
Kursi “Ranger” përfshin tre faza (lidershipi ne taktike, ne terren malore dhe terren moçalor) të cilat ndjekin metodologjinë e trajnimit progresiv duke filluar nga njohuritë bazike te ato më të sofistikuar. Në fazën e taktikave, studentët trajnohen për operacionet e skuadrës dhe përqendrohen në misionet e pritës dhe zbulimit, operacionet e bazës së patrulluese dhe planifikimin përpara se të kalojnë në operacionet në nivel togu. Në fazën malore, ushtarakët zhvillojnë aftësitë e tyre në nivel togu në terren malor, përmes të cilës ata përgatiten për të përfunduar stërvitjen e tyre në fazën moçalore. Pas këtyre tre fazave, ushtarakët “Ranger” janë të aftë të udhëheqin operacionet në nivel të skuadrës dhe togës, në distanca të gjata, pa përdorur automjete, dhe duke mos marrë parasysh kushtet klimatike, kohën dhe llojin e terrenit. Pas përfundimit të këtij trajnimi, “Rangerët” janë më të trajnuar, më të aftë, më fleksibil dhe më të përgatitur për të shërbyer dhe udhëhequr ushtarët e tyre.
Toger Dalladaku do të vazhdoj shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku do të transmetoj njohuritë e fituara nga ky kurs tek pjesëtarët e FSK-së, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës. /2LONLINE/