Mediat në Shqipëri kishin raportuar për një ofertë të lartë financiare të shfaqur nga ana e drejtuesve të klubit SC Gjilani në drejtim të mbrojtësit gjirokastrian, Ylli Shameti.
Por, një gjë të tillë e ka mohuar trajneri i Kf. Gjilanit, Gentjan Mezani, i cili ka hedhur poshtë gjithë zërat.
“Nuk është e vërtetë, janë shifra jashtë realiteti. Nuk e di nga dalin këto lajme, cili është burimi dhe kush përton nga lajme të tilla. Gjilani ka investuar jo pak këtë verë dhe shumë njerëz e shohin ndoshta si mënyrë përfitimi, apo mjet për të krijuar lajme false. Deri tani klubi ka punuar me shifra normale, nuk bën çmenduri financiare për asnjë lojtar dhe përveç kësaj, nuk i zbulon për mediat bisedimet që mund të ketë pasur me lojtarë të ndryshëm. Mohoj kategorikisht lajmin e raportuar ditët e fundit, është abuzim i pastër”, deklaroi Mezani.
E vërteta qëndron në atë se Gjilani ka nevoj për një mbrojtës dhe është në kërkim të një mbrojtësi të qendrës, por objektivi Shameti duket gjithnjë e më i vështirë.
Orët në vijim priten të jenë vendimtare si për të ardhmen e mbrojtësit 35 vjeçar, po ashtu edhe për planin përfundimtar të Gjilanit për mbylljen e afatit kalimtar të verës.