Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka janë takuar në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me drejtuesit e lartë të Korporatës Financiare Zhvillimore (DFC) të Shteteve të Bashkuara te Amerikes.
Në takim me Kryeshefin Operativ Edward Burrier, Këshilltarin e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës DFC Caleb McCarry dhe me Shefin e Stafit Stewart Ackerly, drejtuesit e dy odave ekonomike biseduan për nevojat e sektorit privat në Kosovë, si dhe sektorët me potencial zhvillimor, të cilët do të mund të përfitonin nga instrumentet mbështetëse të Korporatës DFC.
Zeka dhe Rukiqi theksuan edhe nevojën e angazhimit më të shpejtë të qeverive në Kosovë dhe në Serbi për zbatimin e zotimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, si dhe rolin që odat ekonomike nacionale dhe ato amerikane në Kosovë dhe në Serbi mund të luajnë në asistimin e qeverive për zbatimin e pikave të marrëveshjes.
Diskutimi u fokusua edhe në çështjet e lidhura me energjinë dhe nevojën e rritjes së sigurimit të furnizimit në Kosovë si parakusht për zhvillim ekonomik.