Ideja për themelimin e Odës së Afarizmit të Kosovës, nuk ishte ide e çastit.
Oda është një fryt i një analize të gjatë dhe të hollësishme të një grupi të afaristëve, të cilët duke parë ngecje të mëdha në fushën e të bërit biznes janë bashkuar për t’i dhënë një kahje më pozitive fushës më të rëndësishme në vend.
Në këtë kontekst, ne themeluesit e OAK-së, jemi afaristë të suksesshëm me përvojë shumë vjeçare në Kosovë dhe jashtë saj, të cilët synim kryesor kemi rritjen e ekonomisë së vendit, të ofrojmë alternativa në afarizëm në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit të shtetit dhe të ekonomisë sonë.
Duke marrë parasysh problemet me të cilat ballafaqohemi që nga çlirimi, ne konsiderojmë se Kosova ka nevojë të ketë një odë të ngjashme me Shtetet anëtare të BE-së.
Këtë nismë po e ndërmarrim duke u bazuar në përvojat që kanë themeluesit me shoqatat homologe në vend dhe jashtë.
Një nga vlerat të OAK-së do të jetë transparenca financiare në funksionimin e OAK-së, që realisht është rregull fundamental i BE-së.
Themelimi i OAK-së është një mundësi e re për afaristët që të kenë bashkëpunim të sinqertë me institucione dhe të tjerët në fushën e legjislacionit përkatës, për të reaguar për problemet e shumta që ne si afaristë po ballafaqohemi çdo ditë dhe e cila ka rritë në masë të madhe pakënaqësinë.
Kjo pakënaqësi konfirmohet me faktin e shuarjes së shumë bizneseve vendore dhe të huaja por edhe në mosardhjen e investimeve, që shumë janë të nevojshme për vendin tonë.
Këto janë ndër arsyet kryesore që kanë nxitur edhe themelimin e kësaj ode duke qenë të bindur se bashkërisht me shoqata të vullnetit të mirë, ekspertë dhe institucione mund të kontribuojmë për ndryshime shumë më të mëdha dhe pozitive në klimën afariste të vendit, rritjen e punësimit dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Vendimi për themelimin e OAK-së është marrë në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa regjistrimi nga institucionet e Kosovës është bërë në dhjetor të vitit të kaluar.
Konferenca për shtyp e caktuar për sot vjen pas mbajtjes së kuvendit zgjedhor, emërimit të strukturave të udhëheqjes së Odës, marrjes se objektit në të cilën gjendemi dhe angazhimi i stafit për fillimin e funksionimit të OAK-së.
OAK funksionon përmes strukturave udhëheqëse si me poshtë:
Kuvendi dhe Bordi në përbërje të:
Skënder Krasniqi, Kryetar
Arsim Selmonmusaj, Nënkryetar
Diamant Elshani, Sekretar
Hamdi Malushaj, Arkëtar dhe anëtarë i bordit
Lulëzim Begaj, Anëtarë i bordit
Hasan Gigollaj, Anëtarë i bordit dhe
Hysni Zogaj, Anëtarë i bordit
OAK sipas statutit të përcaktuar nga kuvendi themelues do të bazohet në staf profesional siç janë drejtori ekzekutiv dhe shumë ekspertë të ndryshëm për fushat adekuate.
OAK ka bërë përzgjedhjen e një pjese të stafit për fillimin e punës dhe është në kërkim të pozitës së drejtorit ekzekutiv, për të cilën pozitë ka shpallur konkurs.
Buxheti i OAK-së sigurohet nga anëtarësia, e cila është e përcaktuar edhe me status.
OAK nga sot ka hapur dyert për biznese.
Në jetë dhe posaçërisht në biznes përpjekja është mundësi e zgjidhjes, ndërsa heshtja është pajtim me gjendjen.
Ta ndryshojmë së bashku këtë gjendje, sepse ne besojmë që Kosova mund të ofrojë mundësi shumë më të mira për biznes.
Oda e Afarizmit të Kosovës