Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregulloren për lehtësirat doganore dhe tatimore për punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuara si dhe për personat me aftësi të kufizuara që ushtrojnë veprimtari të pavarur.
Oda Amerikane vlerëson se miratimi i një rregulloreje të tillë do të mundësojë ofrimin e mundësive të barabarta në punësim për personat me aftësi të kufizuar dhe do të jetë një nxitës shtesë për bizneset që operojnë në Kosovë që të punësojnë persona me aftësi të kufizuara.
Oda Amerikane e vlerëson si inkurajuese edhe kompletimin e legjislacionit sekondar për promovimin e aftësimit profesional si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si përgjigje ndaj thirrjeve të Odës Amerikane dhe organizatave të tjera në të kaluarën për përfshirje më të madhe në punësim dhe ndalimin e diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane beson fuqishëm se vendimi i Qeverisë do të ndihmojë në zbatimin e Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara si dhe të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.