Kah po shkon Kosova?!

Kah po shkon Kosova?!

Me ndërhyrjen e NATO-s me 1999, dhe sidomos shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008, u mendua se u përmbyll një cikël i përpjekjeve shekullore të shqiptarëve të Kosovës për shtet dhe pavarësi. Aleatët tanë në krye me SHBA dhe së bashku me NATO-n e garantuan pavarësinë dhe ruajtjen e suverenitetit dhe integritetit territorial.

Shkruan: Bekim Thaqi

Megjithatë, së fundmi me ndryshimet e gjeopolitikës dhe veçanërisht me ardhjen ne krye të presidentit amerikan Trump në pushtet dhe një ndryshimi në prioritetet strategjike të SHBA-ve, duket se Serbia po tenton që përmes lobimit nga grupe të ndryshme ta rikthejë çështjen e shtetësisë se Kosovës në tryezën e bisedimeve.

Politika serbe është në një ofensivë të përhershme kundër shtetësisë së Kosovës, dhe duke mos pranuar asnjë çast se Kosova tashme është një shtet me mbi 100 njohje ndërkombëtare, duket e vendosur ne synimin për të mbajtur Kosovën peng të aspiratave të saj në mbajtjen e Kosovës në një kontrolle vizuale për konsum të brendshëm atëherë kur i duhet për nevoja politike, por edhe për të tentuar që me veprime të ndryshme të marrë diçka apo të imponoje një opinion për mosfunksionalitetin e Kosovës dhe nevojës për një zgjidhje të re e që përfshin ndarjen apo edhe ndonjë zgjidhje tjetër që në një apo tjetër mënyrë do e kthente pushtetin serb në ndonjë rajon të Kosovës ashtu si tentohet ta zëmë me Asociacionin e komunave serbe.

Kjo politikë e Serbisë nuk është edhe aq e re veçanërisht në 4-5 vitet e fundit sikur ka marrë hov dhe fillimisht u tentua që përmes lënies anash të udhëheqësisë kosovare të tentohet që të bëhet dialog me Tiranën zyrtare me arsyetimin se me ta duhet të bisedohet pasi ky është problem mes Shqipërisë e Serbisë dhe kjo bile u pat trajtuar edhe publikisht në disa deklarata zyrtare e jo zyrtare të kryeministrit të atëhershëm serb dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Fatmirësisht me reagimin e udheheqësisë kosovare dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare kjo u pat larguar si ide për një kohë.

Deklarimet se për Kosovën duhet të flitet në nivel lokal Ballkanik, dhe pa ndërmjetësim kanë marrë hov edhe këto kohët e fundit pra në vitin 2018, ku prapë duke lobuar me anë të kompanive të ndryshme të lobimit siç janë disa kompani angleze, serbët po tentojnë që ta lokalizojnë çështjen duke thënë se zgjidhja duhet të vijë nga faktori serb dhe kosovar e jo nga bashkësia ndërkombëtare.Në këtë mënyrë, duke e lokalizuar çështjen Serbia po tenton që të diskutoje edhe vetë pavarësinë e Kosovës pasi ajo në kushtetute e ka ende Kosovën si pjesë të saj dhe nëse parimi i dialogut kur bisedojnë dy veta është se kur të dy palët kanë pozita të betonuara atëherë vie tek te kompromisi i dhembshëm qe do ti kënaqte dy palët, mirëpo që për Kosovën do të ishte kthim mbrapa në sferën e shtetësisë.

Me gjasë edhe presidenti i Kosovës, duke e parë një rrezik të tillë dhe duke vlerësuar se situata gjeopolitike nuk është aq e favorshme sa ka qenë me herët për Kosovën , duket se me qëllim ka futur një temë të re të bashkimit të luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën në tryezë duke kalkuluar se serbët me pare do ta ruanin statuskuonë se sa ti hynin një aventure ku përfshihet kjo pjesë e Serbise me shumicë të popullatës shqiptare.

Pra nën parimin se nëse ju guxoni të kërkoni ndarje, si kundërpeshë unë do kërkoj bashkim, dhe me këtë duket se megjithatë tenton që ta hap një kapitull të ri në negociata ose mbyll aspiratën e Serbisë për ndarje të Kosovës. Sidoqoftë, duket se opinionet për ndryshimin e kufijve , nuk janë pranuar edhe nga aleatet tanë si ta zëmë Gjermania e që janë kundër çdo ndryshimi të kufijve apo ndarje pasi e dinë se kjo hap kutinë e Pandorës për Ballkan por edhe më gjerë në Evrope duke parë se ka shume rryma separatiste në kontinent.

Në këtë situatë ku gjendet Kosova momentalisht duhet të thuhet se nuk duhet ngutur me vendime dhe se statuskuoja sado që mund të duket jo e mirë është me e përshtatshme derisa Evropa nuk po ofron ndonjë zgjidhje dhe pakete hyrëse për Kosovën në BE. Momentalisht Serbia është më në nevoje të zgjidhjes përfundimtare pasi po synon që të hapë bisedat për anëtarësim e që nuk po mundet ti bëjë mu për arsye të Kosovës dhe definimit të kufijve.

Politika kosovare duhet të luajë mençur dhe në mënyrë unike ku fillimisht mos ta zbresë zgjidhjen e çështjes në nivel lokal Ballkanik por që ta mbaje si një çështje ndërkombëtare ku shtetësia e Kosovës garantohet nga fuqitë e mëdha.

Pra statusi i Kosovës si shtet i pavarur në kufijtë e sotshëm në asnjë mënyrë nuk negociohet dhe se ne mund te bisedojmë eventualisht për demarkacion me Serbinë ashtu si dy shtete të pavarura që duhet ta rregullojnë kufirin njëherë e përgjithmonë por që edhe të caktohen margjinat se sa mund te lëshojmë pe dhe se sa mund të fitojmë nga kjo.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE