Duke njohur rëndësinë e koordinimit dhe integrimit ekonomik, stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor përmes lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thërret Qeverinë e Republikës së Kosovës që të konsiderojë në mënyrë serioze pjesëmarrjen në iniciativën në vijim për tregun e përbashkët rajonal.
Oda Amerikane rithekson thirrjet e përfaqësuesve të administratës së Shteteve të Bashkuara se çfarëdo iniciative e bashkëpunimit rajonal duhet të mundësojë përfaqësim të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se është përgjegjësi e tri shteteve nismëtare të Ballkanit të Hapur, që të adresojnë brengat e Qeverisë së Kosovës dhe ato të vendeve të tjera skeptike. Asnjë iniciativë për treg të përbashkët rajonal nuk mund të ketë sukses në rrethana kur jo të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me respekt, dhe nëse nuk bëhen përpjekje serioze për largimin e aspekteve që irritojnë bashkëpunimin.
Oda Amerikane shpreh besimin e saj të fuqishëm se bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativë në këto kohëra të pasigurta për ekonomitë rajonale dhe globale dhe se vetëm përmes integrimit ekonomik, vendet do të mund të tejkalojnë vështirësitë e ardhshme, siç janë sfidat në zinxhirët e furnizimit, siguria e ushqimit, mungesat e energjisë dhe mungesat e fuqisë punëtore.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson po ashtu se është e një rëndësie tejet të madhe që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të rreshtohen me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duke mbajtur qëndrim të harmonizuar duke dënuar invazionin rus të Ukrainës përmes sanksioneve. /2LONLINE/