Gjatë ditës së sotme, Oda e Afarizmit të Kosovës(OAK) realizoi një konferencë të jashtëzakonshme përmes së cilës reagoi ashpër ndaj vendimit të marrë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për dënim të biznesit anëtarë, ELKOS Group.
Gjatë kësaj konference Skënder Krasniqi, kryetari i bordit të OAK-së ,vlerësoi se vendimi i AKP-së i dhënë disa vite pas privatizimit të ndërmarrjes nga ana e ELKOS-it dhe pas kalimit të spinoff-it special jep një shenjë shumë të keqe për klimën e të bërit biznes në Kosovë, për më shumë duke e marrë parasysh se ELKOS është një nga tatimpaguesit më të mëdhenjë, më të rregullt dhe kontribues në buxhetin e Kosovës.
Krasniqi gjithashtu shtoi që ky vendim përveç që po e dëmton ELKOS-in, mund të ketë pasoja edhe për shtetin, sepse po u dërgohet një mesazh i rëndë investitorëve të mundshëm për ekzistimin e mundësisë së dëmtimit të kompanive të tyre, si pasojë e veprimeve politike.
Ramiz Kelmendi, pronar i ELKOS Group dhe deputet i Parlamentit të Kosovës tha që privatizimi është realizuar në shtator të vitit 2011 dhe se për këtë privatizim ekzistonin disa kushte, e më kryesori ishte mirëmbajtja e procesit prodhues në veprimtarinë e njejtë dhe moslëvizja e teknologjisë. Kjo kontratë u nënshkrua për tre (3) vite.
Pas tre viteve AKP e ka njoftuar kompaninë 3 ditë para përfundimit të afatit 3 vjeçarë dhe e ka falenderuar e uruar për një biznes të sukseshëm.
Katër vite pas privatizimit, e njejta, pra APK, sjell vendimin për dënim në 30% të vlerës blerëse, e që nënkupton 1.3 milion euro. Ky dënim do ta dëmtoj ELKOS Group në çdo fushë, duke pas parasysh që eksporton në vende si Turqi, Slloveni… e në rast të tillë do të i ipet epiteti i biznesit të dënuar nga shteti. Për më shumë, ky vendim nuk është kumtuar përmes vendimit zyrtar, por përmes mediave vendore.
Gjithashtu, Kelmendi akuzoi drejtorin e AKP-së, Ekrem Hajdarin se po e shantazhon ELKOS-in si në kohën sa ka qenë në pozitë edhe në Doganë. Ai shtoi se ELKOS si një tatimpagues i madh po e pengon dikë, mirëpo duke qenë të sigurt se e drejta është në anën e tyre do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim.
OAK vlerëson se me këtë vendim dhe me vendime të vazhdueshme që janë duke i ndërmarrë institucionet e vendit, në vend që të jenë mbështetësit kryesor të zhvillimit të vendit, janë duke u bërë pengesa kryesore e zhvillimit dhe të ipet përshtypja se Institucionet tona kanë krijuar strategji kundër zhvillimit të vendit.
OAK vlerëson që asnjë qeveri nuk po i kushton Agjencisë Kosovare të Privatizimit rëndësinë e duhur dhe se me ligjet e saj po funksionon si një shtet në vete. Duke qenë se APK është nën kontrollin e Parlamentit, OAK kërkoi nga kjo e fundit të marrë situatën nën kontroll, sepse vendimet e marra nga AKP kanë ndikuar në dëmtimin edhe të shumë bizneseve tjera.