Krijimi i produkteve strategjike, subvencionimi i produkteve bujqësore sipas sasisë dhe jo sipërfaqes, ndryshim / plotësimi i udhëzimeve administrative të cilat afektojnë në bujqësi, kullota, turizëm dhe në sektorin e minierave dhe mineraleve, institucionet të përkrahin më shumë prodhimin vendor, krijimi i një strategjie afatmesme dhe afatgjatë për bujqësinë, nevoja e finalizimit të Ligjit për Pyje dhe Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ishin disa nga çëshjet që u diskutuan në takimin e zhvilluar mes përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Faton Peci.
OAK uroi Ministrin për detyrën, duke ofruar bashkëpunim profesional sa i përket sektorit që ai drejton. Tutje, Krasniqi theksoi rëndësinë e krijimit të produkteve strategjike bujqësore, duke pas parasysh që bujqësia është një ndër sektoret më me potencial për zhvillimin e vendit.
Ndër të tjera, në këtë takim u shpalosën kërkesat e bizneseve të sektorit të bujqësisë, si kërkesë imediate për ndryshim në mënyrë që ti ofrohet përkrahja e duhur këtij sektori.
Në këtë aspekt u theksua nevoja e bashkëpunimit në mes sektorit publik dhe atij privat në hartimin dhe koordinimin e strategjive dhe zhvillimin e politikave të përbashkëta sektoriale, në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Faton Peci falënderoi OAK-në për shpalosjen e kërkesave të detajizuara dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim duke theksuar se një pjesë e kërkesave janë edhe në strategjinë të cilën është caktuar.