Ofrimi i përkrahjes profesionale, gatishmëria për të ofruar këshilla bazuar në përvojën e odës, përcjellja e propozimeve të odës për përkrahje të sektorit privat duke përfshirë subvencionimin për prodhuesit me 10% të shumës së eksportuar e nevoja imediate e licencimit të AVUK për të mundësuar eksportin e produkteve me origjinë shtazore, ishin disa nga çështjet që u trajtuan në takimin mes përfaqësuesve të OAK-së me Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës Besnik Bislimi.
Sekretari i bordit Diamant Elshani uroi Zëvendëskryeministrin për detyrën, duke shprehur gatishmërinë e OAK-së për mbështetje maksimale profesionale në çështjet që ndërlidhen me ekonominë e vendit.
Nga takimet e vazhdueshme me komunitetin e biznesit, OAK konsideron që është shumë e nevojshme për bizneset prodhuese të përkrahen me subvencionim prej 10% të shumës së eksportuar, në mënyrë që të dalin me çmime konkuruese në tregjet ndërkombëtare, shtoi Elshani
Nga ana tjetër Zëvendëskryeministri Bislimi duke falënderuar përfaqësuesit e OAK-së për takimin, shprehu gatishmëri për të bashkëpunuar me qëllim të ofrimit të përkrahjes reciproke në të mirë të sektorit privat dhe vendit në përgjithësi.