Sot është mbajtur eventi tashmë tradicional ”Dita e Peshkut” në Istog, organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Kompania Trofta.
Ky aktivitet është mbajtur në ambientet e Trofta Istog, ku morën pjesë përfaqësues ndërkombëtar, Kryetari i Komunës së Istogut, zyrtarë nga ministria e Bujqësisë, Komiteti Olimpik i Kosovës, përfaqësues nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Klube të peshkimit nga qytete të ndryshme të Kosovës, si nga Istogu, Trofta nga Peja, Krapi nga Prishtina, dhe shoqata nga qytete të tjera të peshkut përfshirë Ferizajin, Vushtrrinë, Gjilanin, Podujevën, Malishevën si dhe përfaqësues nga mediat dhe qytetarë të shumtë.
Hysni Zogaj, Anëtar i Bordit të OAK-së theksoi se duhet të bëhet traditë festa e peshkut duke falënderuar të pranishmit me shpresë që vitet e ardhme ky festival të shtrihet edhe me gjerë, e me pjesëmarrës nga mbarë shqiptaria. Ai po ashtu falënderoi kompaninë trofta për bashkëpunim si biznes anëtar dhe i premtoi mbështjetje maksimale nga Oda e Afarizmit të Kosovës.
Ndërsa Besim Hasani Kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, vlerësoi lartë organizimin e kësaj ngjarje me rëndësi dhe përgëzoi për një iniciativë të tillë, duke shtuar që evente të tilla janë më se të nevojshme.
Gjithashtu, përfaqësues të tjerë të organizatave të peshkut thanë se nga viti në vit kjo ngjarje do të bëhet më masovike duke kaluar edhe kufijtë e shtetit të Kosovës.
Në këtë garë pjesëmarrëse ishin 13 ekipe, ku traditë e festivalit është nxënia e peshkut dhe gatimi aty për aty ku më pas vlerësohet nga juria profesionale.
Këtë vit garuesi më i mirë ishte Ilir Hyseni nga Peja me zënien e peshkut më të madh prej 4 kg, ndërsa Labinot Elshani nga Istogu u rendit në vendin e dytë me peshkun prej 3.900 kg si dhe Halil Guta nga Gjakova me peshkun prej 3.700 kg.
Pjesëmarrës dhe simpatizues i kësaj gare ishte edhe peshkatari më i ri 9 vjeçari nga Prishtina Ari Zogaj që me entuziazmin e tij ia shtoi madhështinë “Ditës së Peshkut”.