Në shah dhe pingpong, nxënësit e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, në të dyja disiplinat edhe meshkujt edhe femrat, kanë triumfuar duke u renditur në vendet e para në nivel të garave republikane që u mbajtën para pak ditësh.
Kualifikimet për këto gara ishin bërë në nivel regjioni, e që më pastaj, pas rezultateve të mira, vazhduan garën dhe kështu zunë vendin e parë. Edhe në futsall, në disiplinën meshkujt zunë vendin e dytë në nivel republikan, kurse femrat vendin e dytë në nivel të regjionit.
Për rezultatet e arritura, kryetari i komunës Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim garuesit të cilët i ka uruar dhe u ka ndarë mirënjohje për suksesin e treguar.
“Këto rezultate, juve ju motivojnë që të vazhdoni më tej, kurse neve na obligon të ju mbështesim edhe më tutje. Do të vazhdojmë sikur deri me tani të mbështesim gjithë ata që tregojnë rezultate të mira, por edhe gjithë ata që angazhohen për të pasur sukses. Mbështetja jonë do të fokusohet në ofrimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të aktiviteteve dhe këtë do ta bëjmë me ndërtimin e palestrës sportive, si dhe sallave të edukatës fizike”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai së bashku me drejtoreshën e Arsimit Fatbardha Emini dhe drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Milot Lala, u kanë ndarë mirënjohje gjithë nxënësve pjesëmarrës, fitues të garave.