Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, nderoi me mirënjohje mjekun Feti Hetemi

Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, nderoi me mirënjohje mjekun Feti Hetemi

I pari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, i shoqëruar nga Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Basri Aliu, dhe shefi i kabinetit Jakup Haxhiu, kanë nderuar më mirënjohje pas pensionimit mjekun specialist Feti Hetemi.

Haliti ka thënë se kontributi i mjekut Feti Hetemi ka qenë dhe mbetet evident, i cili në kohet më të vështira i shërbeu popullatës me humanitetin e tij.

Ata kanë evokuar kujtime nga e kaluara kur mbanin të gjallë sistemin paralel në të gjitha fushat, përballë okupimit të Kosovës nga regjimi serb.

Kurse Hetemi ka falënderuar kryetarin Haliti për vlerësimin dinjitoz të kontributit të tij si humanist.

Hetemi ka qenë rreth 14 vite kryetar i Sh.H.B “Nëna Terezë” për regjionin e Vitisë dhe njëherit anëtar i kryesisë qendrore në Prishtinë, i cili në kohen e represionit serb, ngriti sistemin paralel të shëndetësisë, i cili u shërbente falas popullatës së Anamoravës.

Në këtë sistem paralel shëndetësor ishin 4 ambulante, në Viti, Pozheran, Stubëll dhe në Remnik, që shërbenin falas për popullatën e kësaj ane dhe ku ishin angazhuar të gjithë mjekët e komunës së Vitisë dhe kuadri i mesëm, që punonin pa paga për të mbajtur në funksion sistemin shëndetësor paralel të Republikës së Kosovës.

Kurse në vitet e 80-ta derisa ishte delegat i Kuvendit të Kosovës me iniciativën e tij, themelohet Qendra për Hemodializë në spitalin regjional të Gjilanit dhe Dispanserinë për Nefrologji (sëmundje të veshkave) në Viti.

Gjithashtu Hetemi ka qenë zyrtarisht i angazhuar me detyrë nga ZOK e UÇK-së, si mjek i cili ka mjekuar ushtarë të UÇK-së, të cilët fal angazhimit të tij, sot gëzojnë shëndet të plotë.

KOMENTE