Ndonëse është bërë një vit, që kur komuna e Vitisë ishte futur në karantinë, si pasojë e rasteve të para me Covid-19, megjithatë, rastet e të infektuarve në këtë komunë vazhdojnë të shënojnë rritje edhe sot.
Aktualisht, në 24 orët e fundit, janë regjistruar 10 raste të reja, kurse 12 janë të hospitalizuar.
Ndërkohë që prej 13 marsit 2020 e deri më sot, në komunën e Vitisë janë konfirmuar 1278 raste me COVID-19, 1106 pacientë janë shëruar, 106 raste janë aktive, ndërsa fatkeqësisht 56 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me virus.
Në mbledhjen e sotme të Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, u tha se situata momentale pandemike nuk është e mirë dhe me tendencë të rritjes së rasteve të reja.
Gjithashtu, u kërkua shtim i angazhimit për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe u apelua te qytetarët për respektim të masave anticovid.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, falënderoi gjithë mekanizmat e përfshirë në Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, për përkushtimin në menaxhimin e situatës gjatë këtij njëvjeçari përballje me Covid-19./2LONLINE.com/