Kryendeshja e xhiros së 24-të zhvillohet të enjten në Gjilan, ku nga ora 13:00 do të takohen rivalët lokal, FC Drita- SC Gjilani.
Një ditë para derbit, Drita mbajti konferencë për media, ku kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Ardian Cuculi folën për përgatitjet dhe pritshmëritë për ndeshjen e nesërme.
Trajneri, Nuhiu theksoi se motivi në ndeshje të tilla nuk mungon dhe FC DRITA do ta bëjë maksimumin të kthehet te fitorja.
“Nesër na prêt një ndeshje e rëndësishme për skuadrën tonë dhe ndeshje e special për tifozët tanë.Te skuadra ime kam parë një motiv të vecantë për këtë ndeshje dhe është punuar mirë në këto dy ditë. Kemi analizuar kundërshtarin në detajet më ë vogla, bëhet fjalë për një kundërshtar që nuk është mposhtur në 20 ndeshje dhe ka individë cilësor. Por, gjithashku kemi edhe ne armët tona dhe potencialin tonë. Është përgatitur ndeshja në përpikmëri, sepse e dijmë vlerën e këtij tre pikëshi nesër. Pas mungesës së rezultateve, do të jetë shumë e rëndësishme të kthehemi te fitorja dhe të vazhdojnë rrugëtimin drejt objektivit tonë që kishim nga fillimi i kampionatit”, potencoi trajneri Nuhiu.
Kjo ndeshje është e veçantë edhe për futbollistët dhe në këtë rast, mbrojtësi, Ardian Cuculi, theksoi se nesër është momenti të tregohet potenciali dhe të gëzojnë lojtarin e 12-të, tifozët tanë.
“Nesër do të jetë një ndeshje derbi dhe besoj do të jetë shumë e luftuar. Nuk e kemi menduar këtë ecuri gjatë gjysmë stinorit të ri, por besoj që rezultatet do të vijnë, sepse gjitha ekipet kalojnë një krizë dhe shpresoj që nesër të jetë fundi i saj. Nesër është momenti të tregojmë potencialin tonë, do të bëjmë maksimumin që t’i kënaqim tifozët, ta cilëve ju detyrohemi shumë, sepse kanë qenë gjithmonë lojtari jonë i 12-të. Me ndihmën e tyre shpresoj që do të ngadhënjejmë dhe të dalim fitimtarë nga kjo përballje. Rrespektojmë kundërshtarin, ka një ekip shumë cilësore, mirëpo ne kemi objektivat dhe qëllimet tona dhe shpresoj që të luftojmë, të fitojmë e të gëzojmë gjithë ambientin bardh e kaltërt”, ka thënë Cuculi.
Në konferencë u theksua edhe rëndësia e ndeshjeve të tilla derbi, për çka trajneri ynë, Nuhiu pret që derbi ta arsyetojë epitetin dhe të sjellë spektakël.
“Pres që ky derbi ta arsyetoj epitetin e derbit, nuk e diskutoj që nuk do të mungojë spektakli në tribina dhe pres që edhe nga skuadrat të zhvillohet spektakël poshtë në fushë. Futbollistet janë me fat që do të luajnë në një ndeshje kaq të madhe, jam e bindur se do të bëjnë maksimumin për të marrë fitore nesër. Ata jetojnë për ndeshje të tilla, ata nuk janë rasësisht këtu, ata të gjithë e kanë dëshmuar këtë ndërvite dhe nesër pres reagim. Do të jetë një pikë kthese, sepse na kanë munguar rezultatet por momentin që fitohet derbi, do të ngritet morali në skuadër për t’u kthyer dhe vazhduar një kampionat më të mirë”, përfundoi Nuhiu.
Trajneri, Ardian Nuhiu njoftoi se Ilir Blakçori do të jetë i gatshëm për lojë, kurse është paraqitur një shqetësim te Rron Broja, për të cilin do të vendoset nesër. /2LONLINE/