Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXXVII-
Në këto momente trishtuese, kur lehonë e bebe luftonin për jetë, drita e qiriut mbrojtës u shua; siguresat e rrymës u dogjën kështu që edhe kandili u shua. Një rrapëllimë e vogël e zgjoi babin e familjes; Rufa u zhduk plotësisht nga dhoma kështu që lehona arriti t’i çelë sytë dhe i mbijetoi këtij sulmi tragjik të xhindes-njeri.
Nga Reis Mirdita
Pas kësaj, Rufa morri rrugën e errët drejt urës së drunjtë kur në fshat u dëgjuan gjelat e kjo e shtyri të merr pamjen e njeriut dhe si i tillë vazhdoi në drejtim të qytetit që ishte një orë rrugë për këmbësorë të rëndomtë. Në një moment, kur zbardhja e ditës kaploi horizontin, në largësi u duk një karrocë me rrota “tetëshe” e tërhequr nga një gomar qimegjatë i cili që në këtë distancë u ndal dhe nuk dëgjonte të zotin, plakun e varfër, shumë të sinqertë dhe bujar që njihej në qytet si Hamit Azho. Në ndërkohë, Rufa u afrua dhe përshëndeti plakun. Gomari u qullos nga ca djersë që ia mbulonin qafë e shpinë. E dini, gomari është e vetmja gjallesë që i sheh xhindet dhe njerëzit-xhinde. Frikohet shumë prej tyre andaj edhe nuk ecë para assesi. Rufa për t’ia larguar dyshimin eventual Hamit Azhos, e hukati fshehtas kafshën e gjorë, ajo u qetësua dhe nisi rrugën pa pritur urdhrin e të zotit. Por …, o mallkim, një njeri me flokë si të qenit u paraqit aty, ashtu papritmas! Gomari përsëri u ndal si i gozhduar. Këtë njeri e njihte edhe plaku edhe Rufa, me dallim ky i fundit, e dinte se ishte krijesë që jetonte me pamje njeriu dhe me pamje qeni, sipas nevojës e detyrave që i merrte nga hierarkia xhindore. Edhe si njeri edhe si langar* e thirrnin nganjëherë Xhuç, nganjëherë Xheç por pa ditur se bëhet fjalë për të njëjtën qenie. Karakteristikë e dukshme e tij ishte se kur fliste, zëri disi i përngjante të lehurave të qenve, andaj, askush nuk ia duronte as afërsinë e as bisedën. Ishte i martuar por as e gruaja e vet nuk ia duronte erën e keqe dhe që natën e gjerdekut, ia ndau shtratin dhe filloi të argëtohej me fqinjë e me njerëz të tjerë sa herë që t’i jepej rasti. Ajo lindi edhe fëmijë por për këtë do të bëhet fjalë në kaptinën vijuese, kurse tani, do t’i kthehemi ngjarjes së mëngjesit në fjalë…
Xheçi që nuk kishte aftësinë e lëvizjes sikur xhinden e njerëzit-xhinde sepse as që i takonte llojit të tyre (si që u përmend, kishte aftësinë e metamorfozës qen-njeri dhe anasjelltas), u tërhoq pas ferrave breg vijës me ujë, u bë qen dhe deshi t’i rreket vrapit drejt Pjerrëtinës për ta grabitur foshnjën që ndërroi jetë gjatë natës. Rufa kuptoi tentativën e qenit-njeri dhe për habi, u tregua human, i bërtiti me ngulm që të kthehej nga kishte ardhur. Xheçi nuk u duk më por u detyrua t’i nënshtrohet urdhrit të dhënë dhe arave, arriti te pusi ku morri pamjen e njeriut, duke vazhduar mandej të eci në dy këmbë për në shtëpi të vet…
Hamit Azho gati nuk kuptonte më asgjë. I hutuar, hipi në talikë, ia ngrehu dizgjinët gomarit dhe iu dha lutjeve që do t’ia rehatonin sa do pak trurin e shqetësuar nga ngjarja që nuk kuptoi gjë.
Sqarim për lexuesit:
Kjo pjesë si dhe vazhdimi i XXXVIII, i shtohen veprës tani. Nipi i Hamit Azhos, Besniku, me leximin e kaptinës së XXXV, më raportoi këto ditë për elementë të ri që nuk i kisha dëgjuar më parë)
*Langar, qen endacak