DYLON

Cili më parë, syri ose zemra

Cili më parë, syri ose zemra
Avatar photo Redaksia

Pa mëdyshje ishte një dukuri e re që më përvodh shpirtin asaj mbrëmje në mes të grupit intelektual që thithte nektarin filozofik të traktateve mbi ecurinë e jetës por duke mos vërejtur aspak të tashmen e mbrëmjes, më sublimen e mbrëmjes, dashurinë!

Nuk di as tani se ç’ ngjau: “thyerje” syzash, kryqëzim sysh, akord zemrash, apo mishërim ndjenjash?! Më saktë, të gjitha ndodhën bukur e mirë por cila më parë? Thyerja, kryqëzimi, akordi, apo mishërimi? Katër reagime në të njëjtën thërrime kohe! Katër klithma të shkrira në dy qenie që u mbuluan me dashuri. Por lindi edhe një mister më magjik në trurin e dashuruar; kush ra i pari në betejën magnetike…, syri, zëmra apo të tjerat shqisa? Vallë, edhe kjo do të ishte një funksionim klithmatik i ndjesive të thellësisë së shpirtit që lind ashtu tok, një herë në jetë!?

Një shkëputje nga shtegtimi i viteve të fundit erdhi befasishëm që në momentin kur thjerrëzat e syzeve u thyen nga shikimi i parë duke hedhur sytë në valle pa ndërmjetës, ngase çdo gjë shkëlqeu sikur për të na e ndritur të pamurit. As unë, as ajo, nuk kishim kaluar nëpër ndonjë humnerë vetmie. Me sa kuptova në vazhdim edhe ajo ishte person plot shend e miqësi dhe ndeshja e jonë nëpër një feeling qiellor, erdhi si një dukuri e “lindjes për njëri tjetrin”.

EkoHigjiena

Pas debatit filozofik, “Traktat mbi jetën”, mbrëmja vazhdoi me muzikë të zgjedhur dhe vallëzim. Aty, në mes të pistës së definuar enkas për mbrëmjen, në mesin e notave të valcerit “të bardhë” me ritmin e njohur binar, formuam çiftin që nisi rrotullimin në vetvete, ashtu si e donte ritmi dhe dashuria që po vlonte në zemrat tona etura për lidhje shpirtërore…

Ora tik-take, me lavjerrës të praruar, varur në murin me ngjyrë të pa definuar, tregonte kahen e saj drejtë numrave të vegjël të natës… Sa shpejtë kaloi kjo kohë e larë me dashuri të freskët, dashuri që do të kthehet në romancë të pa fund, të çelur në mbrëmjen e Traktat-it mbi jetën.

Reis Mirdita