Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka hapur mbledhjen e 127-të të Qeverisë me një minutë heshtje të kabinetit qeveritar, në nderim të mijëra jetëve të humbura tragjikisht nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Në emrin e tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi, ndërsa të lënduarve u dëshiroi shërim sa më të shpejtë.
Mbi bazën e kapaciteteve tona, do të ndihmojmë në tejkalimin e kësaj tragjedie. Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, specialistët tanë në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjent dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti, në ndihmë të institucioneve të Turqisë dhe popullit turk, u shpreh ai. /2LONLINE/