Isa AZEMI KORÇA
– Disa nga prioritetet e shumta që duhej të merreshin parasysh në qeverisjen e ardhshme! –
(2LONLINE) – Secili qytetar e ka obligim moral dhe njerëzor që nga momenti kur e hedh votën në kuti për të preferuarin e tij, që edhe atëherë kur paraqitet nevoja të kërkojë përgjegjësi, të jap sugjerime, komente, por edhe vërejtje në adresë të përfaqësuesit të tij të cilin e ka zgjedhur. Prandaj unë në bazë të së drejtës time universale për të votuar dhe për të shprehur mendimin tim të lirë po e shfrytëzoj rastin që kërkesat e mia por edhe të shumë bashkëqytetarëve të mi ti paraqesë në këtë shkrim publikë, për cilindo kandidatë që do të mund të jetë fitues i zgjedhjeve lokale të Nëntorit.
Në vijim i keni të renditura disa nga kërkesat e arsyeshme të qytetarëve të Gjilanit, e që për ta paraqesin një ndër prioritetet me rëndësi të madhe:
• Mbyllja e rrjedhjes së ujërave të zeza të lumit Mirusha¹ (ish-Dobrusha) marrë parasysh dëmet të cilat po i shkakton ç’do ditë e më shumë rrjedha e tij për banorët të cilët jetojnë afër këtij lumi, ku rreziku më i madh mund të jetë përhapja e ndonjë epidemie me përmasa të mëdha sidomos për fëmijët të cilët jetojnë në këto hapësira të cilët kohën më të madhe e kalojnë duke luajtur rreth lumit. (E di se ka filluar të punohet në këtë drejtim por kërkohet angazhim shtesë, me të vetmin qëllim që të mbrohet shëndeti i bashkë qytetarëve tanë).
• Lumi Stanishorka po ashtu për nga rëndësia dhe rrezikshmëria e përhapjes së epidemisë mund të krahasohet me lumin Mirusha. Erërat e keqe që liron lumi janë pengesë dhe të padurueshme jo vetëm për banorët që jetojnë rreth saj por edhe për kalimtarët që janë të shumtë në hapësirën prej tregut të gjelbër e deri në dalje të fshatit Malishevë.
• Ujërat nga të reshurat atmosferike në qytet gjithashtu kërkojnë vëmendje të veçantë. Jemi dëshmitarë se kur ka të reshura shiu, bllokohet i tërë qyteti për këmbësorë por edhe për automjete.
• Zgjerimi i rrugës kryesore të qytetit nga hyrja prej rrugës së Bujanocit e deri në dalje të qytetit rrugës për Ferizaj (tej përtej qytetit), nga dy korsi në katër korsi. Gjithsesi qyteti ynë për dallim prej qyteteve tjera ka pasur fatin që në këtë hapësirë të mos ketë ndërtime private që do të prishin punë dhe do të kishin penguar këtë projekt shumë të nevojshëm për qytetin tonë. (Dihet mirë se një investim i tillë ka një kosto të lartë por mendoj se me një iniciativë dhe organizim të mirë ky projekt do të mund të financohej në bashkëpunim me MTPT). Të gjithë ne jemi dëshmitarë të bllokimit total të qytetit gjatë muajve korrik-qershor, kur nga perëndimi vijnë bashkatdhetarët tanë, ku kemi një rrëmujë në komunikacion për shkak të rrugëve të ngushta dhe numrit të madh të veturave. Kjo shkakton neveri për ne që jetojmë këtu por edhe bashkatdhetarëve tanë të cilët bashkë me ne për të lëvizur nga njëri në tjetrin skaj të qytetit duhet të presin me orë.
• Qyteti ka shumë nevojë për një numër të caktuar të WC-ve publike. Numri i banorëve po rritet dita më ditë, duke mos llogaritur edhe qytetarët tanë rezidentë të cilët çdo vit vijnë për pushime në Kosovë. Prandaj me këtë do ti “importonim” kulturën perëndimore e do të japim shembull për të tjerët.
• Mungesa e ndriçimit nëpër lokalitetet periferike të qytetit. Rreziqet janë të shumta në mungesë të tyre, e po të vendoseshin do kishte efekte të shumanshme pozitive.
• Fasadimi (ngjyrosja) ndërtesave nëpër rrugën kryesore të qytetit. Pamja ekzistuese lë për të dëshiruar, kurse me një investim të vogël qyteti do të merrte një pamje kolorite, që deri diku do t’i përngjante Tiranës.
P.S. Duke e ditur se kryekomunari i ardhshëm do të ketë edhe shumë punë të tjera për të bërë dhe shumë prioritete të tjera, mendoj se duhet të merret parasysh edhe ky sugjerim të cilin e kam formuluar, duke marrë parasysh se ky opinion ka marrë për bazë kërkesat e një numri të konsiderueshëm bashkëqytetarësh tanë.