Duke iu referuar statistikave policore brenda një jave në Rajonin e Gjilanit janë regjistruar 18 aksidente të trafikut, ndërsa janë shqiptuar 995 tiketa gjobitëse.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se gjatë periudhës shtatë ditore, në këtë rajon ka pasur 18 aksidente trafiku, nga të cilat 10 me lëndime në njerëz, 8 aksidente trafiku me dëme materiale, por pa lëndime.
Hashani tha se gjatë kësaj periudhe janë shpërndarë 995 tiketa gjobitëse për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë respektuar ligjin.
Policia e Kosovës shpesh apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik e në veçanti tek drejtuesit e automjeteve që të rrisin nivelin e sigurisë, të shtojnë kujdesin dhe vigjilencën e tyre gjatë drejtimit të automjeteve, sepse me veprimet e tyre, jo vetëm që po rrezikojnë jetët e tyre, por po rrezikojnë edhe jetët e pjesëmarrësve të tjerë në trafikun rrugor.
Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë nga drejtuesit e automjeteve, të respektojnë dispozitat ligjore, t’i përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, të mos drejtojnë automjetet derisa janë në ndikim të lodhjes, gjumit apo nën ndikim të alkoolit, t’i shmangen përdorimit të telefonit gjatë ngasjes si dhe veprimeve tjera që mund të shkaktojnë rrezik dhe pasiguri gjatë drejtimit të automjetit.
Përndryshe, kur jemi te raporti policor, brenda kësaj periudhe janë regjistruar 52 incidente dhe janë arrestuar 34 persona, për vepra të ndryshme që bien ndesh me ligjin.