Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nga sot të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkollë nga klasa e parë deri në të nëntën, mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Sipas saj, mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme. Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.
Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.
Platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet të premten.
“Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë. Suksese dhe qoftë vit i mbarë për fëmijët tanë”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. /2LONLINE/