Një ekip shëndetësor i QKMF-së në Viti, ka filluar sot me vizitat sistematike të nxënësve të shkollave të komunës së Vitisë.
Fillimin e këtyre vizitave e ka përshëndetur kryetari i Komunës Sokol Haliti, i cili përgëzoi menaxhmentin dhe punëtorët e QKMF-së për këtë aktivitet dhe theksoi që ne si komunë jemi të përkushtuar në vazhdimësi për parandalimin e sëmundjeve e që ky aktivitet ka një mision të tillë.
Ky aktivitet ka filluar në koordinim të plotë me drejtoreshën e DKA-së Fatbardha Emini, drejtoreshën e DSHMS-së Merrushe Ahmeti, menaxhmentin e QKMF-së, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit.
Sipas dr.Vjollca Kadolli-Halili, drejtoreshë e QKMF-së në Viti, me që akoma nëpër shkolla fillore nuk ofrohen shërbimet shëndetësore nga ana e personelit shëndetësor dhe pamundësohet përcjellja e vazhdueshme e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, është marrë kjo iniciativë për organizimin e vizitave sistematike të nxënësve të shkollave fillore në Komunën e Vitisë.
“Gjatë këtyre vizitave, do të bëhet vlerësimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve, identifikimi i deformiteteve, anomalive apo sëmundjeve specifike për moshën dhe ndërmarrjen e masave për parandalim dhe evitimin e tyre, ku fëmija varësisht nga të gjeturat do të referohet në institucionin përkatës. Gjatë këtyre vizitave do të bëhet vlerësimi fëmijëve të grupmoshave të klasave të para (I), klasave të pesta (V) dhe klasave të nënta(IX) të të gjitha shkollave fillore të komunës së Vitisë. Do të vlerësohen zhvillimi i përgjithshëm psiko-fizik i fëmijëve (30 parametra) si dhe shëndeti oral”, tha drejtoresha Kadolli.
Sipas saj, paraprakisht, përmes DKA-së është dërguar te drejtorët e shkollave orari nëpër shkolla si dhe janë dërguar formularët e pëlqimit, ku secili prind do të njoftohet për vizitën e fëmijëve të tij. Gjithashtu, raporti i vizitës i jepet fëmijëve në zarf si dëshmi e kontrollit dhe këshillat eventuale.
Vizitat sistematike shëndetësore kanë filluar sot në shkollën fillore ”Dëshmorët e Vitisë” dhe do të vazhdojmë sipas orarit edhe me shkollat tjera. /2LONLINE/