Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot pas testeve të bëra për 17 qytetarë të Komunës së Kamenicës, ka njoftuar se 11 prej tyre kanë rezultuar pozitiv ndaj virusit COVID-19.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati duke i bërë apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, ka treguar se shumica e personave të infektuar janë të moshës së re.
“IKShP ka konfirmuara edhe 11 raste pozitive me virusin COVID-19 në fshatin Topanicë. Shumica prej tyre janë në moshë më të re, në përjashtim të një rasti që është në moshë më të shtyer. Nuk është koha për mosbindje, joseriozitet e mospërfillje. Shmangni daljet pa nevojë, ruani distancën dhe kujdesuni për veten. Ajo se çka na mbron dhe e parandalon këtë, është të qëndruarit në shtëpi”, tha Kastrati.
Ai ka lutur qytetarët të mos krijojnë panik, por të bëjnë kujdes të shtuar duke qëndruar në shtëpi, dhe duke zbatuar udhëzimet e dhëna nga Qeveria, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Komuna.