Për të diskutuar për interpretimet e ligjeve tatimore dhe kontesteve ligjore, unifikimin e Ligjit për Tatim në të Ardhurat Personale me atë të Ligjit për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe dorëzimin e pasqyrave financiare, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoj takim mes Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe Komitetit të Tatimit të Odës Amerikane.
Kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja tha se është e rëndësishme që të dëgjohet perspektiva dhe zëri i bizneseve, duke qenë se bizneset janë ato që preken më së shumti nga këto politika. Ai theksoi se qëllimi i komisionit që ai udhëheq është krijimi i një baraspeshe midis mbrojtjes së bizneseve dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Më tutje, Muja shtoi se si komision po punojnë në krijimin e një mjedisi të parashikueshëm për biznese, në mënyrë që suksesi për të gjithë të jetë i barabartë.
Sami Salihu, Drejtor i Departamentit për Regjistrim dhe Shërbimit të Tatimpaguesve në ATK, njëherit edhe anëtarë i jashtëm i Komitetit të Tatimit të Odës Amerikane, tha se deri tani janë hartuar dy draft ligje për tatimin në të ardhura të korporatave dhe për tatimin në të ardhura personale, mirëpo ai që ka ndryshuar është vetëm Ligji i Tatimit në të Ardhura të Korporatave.
Ai theksoi se bizneset individuale janë të diskriminuara nga ky ligj.
Në vazhdim, anëtarët e Komitetit të Tatimit të pranishëm në këtë takim shprehën shqetësimet e tyre lidhur me Ligjin për Tatimin në të Ardhura Personale, Ligjin për Tatimin në të Ardhura të Korporatave, Ligjin për TVSH, pushimet tatimore, etj. /2LONLINE/