Kangën ‘Ölünce sevemezsem seni’ të Lise Terk e kam gjetë po ashtu në një koleksion të MP3shave në kohën e ‘lirisë së shitjes’. Lise Terk është këngëtare turke, dhe albumi i saj ‘Umut’ kishte pop-rock të lehtë të gërshetuar bukur me elemente të muzikës turke.
Ridvan BUNJAKU
Këngët tjera janë të lehta dhe të këndshme për t’u dëgjuar (sidomos nga dikush si unë që nuk e di turqishten fare, prandaj e dëgjoj pastër si muzikë). Por kjo këngë dallohet që nga fillimi. Si duket është këngë e përpunuar meqë e kam hasur të interpretuar edhe nga të tjerë.
Dëgjoje këtu: Lise_Terk_-_Olunce_Sevemezsem_Seni.mp3
Vijën hyrëse e bën një kitarë po që tingëllon nga pak si sharki turke. Violinat e tregojnë dramaticitetin e këngës që në fillim. Këngëtarja fillon në qetësi, duket se është këngë melankolike:
F’tyra m’u ktheftë prej dheut t’vorrit tond
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
Lotë t’përgjaktë derdhsha
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë…
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
Kitarat akustike përcjellin me akorde të zbërthyera ndërsa piano (dhe basi nganjëherë) plotëson ndërmjet vargjeve në strofën e parë. Këngëtares i dridhet zëri. Në strofën e dytë shtohen edhe vija me violina:
Mëshirën e Zotit mos e marrsha
Gonxhe-trëndafila mos mbledhsha
Nafaka m’u preftë
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë…
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
“Jashamaaaaaak…” nis refreni shpërthyes. Rock i plotë me violina të qëlluara:
Me rrnu n’yje po du
Ngat teje me mbetë po du
Me bo dashni nuk asht marifet
Ngat teje me mbetë po du
Në pjesën e dytë të refrenit orkestri është edhe më goditës:
Me bo dashni nuk asht marifet
Me vdekë me ty po du
Kitaristi s’pret. Futet me një solo në dukje të thjeshtë, i ndjekur nga violina lozonjare. Solo zhvillohet në melodi me shumë teknikë. Mbyllet me pentatonikë tipike në qetësi të plotë.
Këngëtarja e fillon strofën e dytë, dhe orkestra është pak më ‘advanced’ (me timpane të lehta në sfond). Basi është aktiv dhe i bashkohet vijave ndërmjet vargjeve.
Edhe n’vdeksha k’tu
F’tyrë-hana ime asht prapë shumë larg
N’mëshirën e t’poshtërve mbetsha
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë…
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
Prapë refreni shpërthyes. Një zë i dytë i harmonizuar e plotëson zërin e parë.
Me rrnu n’yje po du
Ngat teje me mbetë po du
Me bo dashni nuk asht marifet
Ngat teje me konë po du
Me rrnu nuk asht marifet
Me vdekë me ty po du…
Këtu teksti është shumë i rëndë dhe kitaristi prapë shpërthen, tani në një solo më të ashpër. Violinat e ndjekin pas përsëri duke i plotësu me virtuozitet pauzat e kitarës. Në pjesën e dytë kitaristi thjesht e mban notën bazë ndërkohë që akordet kalojnë nga baza në dominantë, me violina qëllimisht distonike (por me masë).
“Jashamak…” përfundon këngëtarja veç me një kitarë akustike me akorde:
Me rrnu nuk asht marifet
Me vdekë me ty po du
Që të jetë e qartë, unë nuk e kam ditë çka thuhet në tekst (6.8.2017). Atëherë kur e kam dëgju më shpesh nuk kam mundur t’i gjej lyrics. Një kolege që kishte studiu në Turqi, kur e pyeta se çka dmth. ‘Ölünce sevemezsem seni’ e hulumtoi pak në internet (nëpër fjalorë apo ku ta di) dhe iu mbushën sytë me lotë. Tha, ‘po thotë: qysh me t’dashtë masi t’vdes?’. Tash ish pak më e qartë.
Sot (7.8.2017), ma në fund (pas kaq shumë vitesh) e gjeta të përkthyer tekstin anglisht. Pas publikimit më ndihmoi Elvaris Gjinali me përkthy ma saktë dhe më tregoi se kënga qenka kompozim i grupit Ayna me tekst poezinë e poetit otoman të shekullit XVII, Karacaoglan, në turqishte të vjetër. Pastaj Enes Bërveniku ma dha një feedback që ndikoi në përkthim më besnik të tekstit:
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
F’tyra m’u ktheftë prej dheut t’vorrit tond
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
Lotë t’përgjaktë derdhsha
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë…
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
Mëshirën e Zotit mos e marrsha
Gonxhe-trëndafila mos mbledhsha
Nafaka m’u preftë
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë…
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
Me rrnu n’yje po du
Me konë me ty po du
Me bo dashni nuk asht marifet
Ngat teje me mbetë po du
Me bo dashni nuk asht marifet
Me vdekë me ty po du
Edhe n’vdeksha k’tu
F’tyrë-hana ime asht prapë shumë larg
N’mëshirën e t’poshtërve mbetsha
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë…
Nëse kur t’vdesësh s’muj me t’dashtë
Me rrnu n’yje po du
Me konë me ty po du
Me bo dashni nuk asht marifet
Ngat teje me mbetë po du
Me rrnu nuk asht marifet
Me vdekë me ty po du…
Me bo dashni nuk asht marifet
Me vdekë me ty po du
E falënderoj Elvaris Gjinalin dhe Enes Bërvenikun për informatat shtesë pas publikimit të artikullit dhe korrigjimin e përkthimit.
*Teksti i përkthyer fillimisht nga anglishtja nga
http://lyricstranslate.com/en/oeluence-sevemezsem-seni-if-i-cant-love-you-when-you-die.html