Nëntori është muaji që na dha shumë e pak u kujdesëm.
Shkruan: Fatmir Kastrati
Fillimisht, Nëntori i Krujës dhe Vlorës e më vonë për t’i dhënë kuptim edhe më shumë këtij muaji dhe datës 28, erdhi në jetë frymëzimi më i madh kombëtar, baca Adem. E në fund edhe nëntori i UÇK-së.
Ai që na mësoi së çfarë është rezistenca, si duhet të dashurohet atdheu dhe si frymëzohet një popull i tërë.
Thonë se aq sa ke pasur zemër, në zemra kanë për të të mbajtur. E kush më shumë se ai kishte zemër dhe kënd më shumë se të e mbajmë në zemrat tona. Në zemrat e atyre që me të vërtetë e vlerësojnë dhe çmojnë heroin e tyre, që falë rezistencës së tij nuk mbetëm të nënshtruar.
Por për fat të keq dhe të tmerrshëm një pjesë e jona e kemi harruar. E kemi harruar apo lënë anash sepse mjafton të shkosh në vendin ku u bë rezistenca më e madhe ndonjëherë, Prekaz, dhe të shohësh se si shteti edhe pas 21 viteve nuk u kujdes fare për kullat legjendare. Sa miliarda euro të buxhetit të Kosovës janë shpërndarë në dikastere të ndryshme dhe asnjërit nuk i shkoi mendja që gjënë e parë që duhet të bëjnë të përkujdesen për vendin ku u frymëzua dhe buroi liria jonë.
Pas 21 vitesh ende kryeqyteti ynë i stërngarkuar çuditërisht nuk e ka shtatoren e Komandantit legjendar dhe pse jo secili qytet të ketë një të tillë. Sepse ai është i gjitha anëve, e ne as të vetës!
U ndala vetëm tek borxhi i vogël dhe obligimi që ia kemi e nuk e kemi realizuar pasi për idealin e tij e kemi lënë dhe nuk jemi kujdesur dhe punuar fare për të. Për këtë arsye shumë të rinj çdo ditë e më shumë të vetmen mundësi fatkeqësisht e kanë mërgimin.
Në fund prej një të riu që çdo ditë po ia thyejnë nga pak ideal e frymëzim, urime ditëlindjen Komandant! /2LONLINE.com/