Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka dal në krah të gastronomëve. Gastronomia është një segment i biznesit që ka pësuar dëme të konsiderueshme nga ndikim i pandemisë COVID-19, ndërkohë që është prekur edhe nga masat që po ndërmerren nga qeveria kundër COVID-19, e që kanë impakt të drejtpërdrejtë në afarizmin e tyre edhe në këto rrethana.
Ismajli ka thënë se gastronomët nuk kanë nevojë për lëmosh nga shteti, sepse vetë ia dalin. E vetmja gjë që e duan nga shteti është që të mos iu bëhet barrë vetë shteti, me politika restriktive, të cilat ia cenojnë mirëqenien e tyre dhe të familjeve
“Përgjithmonë do të jem në krah të tyre. Janë shtresa më e ndjeshme për ne, nga të cilët për çdo ditë marrim shërbim të mirë dhe korrekt. Ata na qëndrojnë në këmbë në çdo kërkesë dhe nevojë tonën. Nga pozicioni im, e deri tek shërbyesi i fundit shtetërorë, duhet dalë në krahë kësaj kategorie ekipesh”, ka thënë nënkryetari Ismajli, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, sjellja dhe qasja jonë ndaj tyre duhet të jetë së paku njerëzore, sepse, kjo kategori tërë jetën e tyre e fitojnë bukën e gojës si të pavarur nga shteti, dhe mbi të gjitha janë makineri për mbajtjen gjallë të ekonomisë së vendit tonë, duke gjeneruar vende të reja pune dhe duke rregulluar sistemin ekonomik në vend.
“Personalisht, unë do të jem përgjithmonë në krahët e tyre, sepse, e drejta është në anën e tyre. Ata nuk kanë nevojë për lëmosh nga shteti, sepse vetë ia dalin. E vetmja gjë që e duan nga shteti është që të mos iu bëhet barrë vetë shteti, me politika restriktive, të cilat ia cenojnë mirëqenien e tyre dhe të familjeve”, është shprehur nënkryetar Ismajli. /2LONLINE.com/.