Në sallën e Kuvendit Komunal të Vitisë, është mbajtur sot pasdite diskutim publik rreth Planit Zhvillimor Komunal, me banorët e qytetit të Vitisë, si dhe fshatrave Beguncë, Binçë, Ramnishtë, Buzovik, Lubishtë, Shushtë, Podgorc dhe Debëlldeh.
Drejtori për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ajet Sallahu, në fillim ka folur për rëndësinë e këtyre diskutimeve dhe se propozimet nga qytetarët i ndihmojnë hartimit të këtij plani, në gjithëpërfshirje të prioriteteve që kanë.
Ndërsa një elaborim më përmbajtësor të planit për lokalitetet që ishin pjesë e këtij diskutimi të sotëm, e bëri përfaqësuesi nga UBT prof. dr. Tomor Qelaj.
Këto takime që po zhvillohen në disa lokalitete të komunës së Vitisë, po mbahen me qëllim të hartimit të Planit Zhvillimor Komunal, si dokument strategjik multi-sektorial i cili përcakton të ardhmen e zhvillimit ekonomik, infrastrukturës, shfrytëzimit të hapësirave dhe mjedisit, si dhe përcakton kahjet e zhvillimit të komunës së Vitisë, në 8 vitet e ardhshme.
Përveç që është bërë prezantimi i këtij dokumenti, ata kanë diskutuar me banorët edhe për rëndësinë që ka ky dokument, për secilin lokalitet dhe për sektorë të ndryshëm.
Diskutime të tilla do të mbahen gjatë ditës së sotme nga ora 16:00 edhe në Stubëll të Epërme, Letnicë dhe fshatrave përreth.
Drejtori Sallahu, iu bënë thirrje qytetarëve që të jenë pjesë të këtyre diskutimeve, pasi që po diskutohet për një dokument që është në interes të veçantë, për zhvillimin e komunës së Vitisë dhe secilit lokalitet të saj. /2LONLINE.com/