Ajo që mund ta them me plotë gojën është se besnikëria, sinqeriteti, ndershmëria dhe guximi, ishin virtytet e tij si personalitet. I tillë ishte Rexha deri në çlirimin e Kosoves dhe deri sa me 30.06.2016 u nda nga jeta.
Shkruan: Naser Hyseni
Kam vështirësi të jashtëzakonshme teksa po tentoj t’i shkruaj disa rreshta për mikun tim, tashmë të ndjerrë, Rexhë M. Elezi. Kur po thellohem në kujtime për rrugëtimin tonë të përbashkët për lirinë e shqiptarëve, pa na bërë syrri vërr për asnjë moment dhe në asnjë rrethanë rreziku, s’ka se si mos të tradhëtojnë lotët.
Mëgjithatë, e mora kurajon t’i shkruaj disa fjalë për mikun tim, por veç ashtu si ka qenë ai. U lind në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit në vitin 1954. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, kurse atë të mesëm në Ferizaj.
Qysh në moshë të re ai u shqua për aktivitete të ndryshme në shërbim të ardheut. Ishte qysh heret anëtar i këshillit të fshatit, ku dha kontribut të çmueshem për ndërtimin e infrastruktures se fshatit. Prej krejt jetën e tij ia kushtoi të mirës së komunitetit.
Pas demostratave të vitit 1981, nga organet e atëhershme filloi ndjekja dhe diferencimi ideopolitik i njerzve me orientime kombëtare.
Rexha, qysh atëherë, vërejti inskenime të ndryshme për probleme si pretekst për ndëshkim. Ai me vendosmëri ishte në mbrojtje të qytetarve duke theksuar se “Ju pushtetarët po i bëni këto probleme ose i dini kush po i bën, andaj mos i mundoni njerëzit e pafajshëm”.
Në vitin 1990, pasi u formua LDK, Rexha ishte në mesin e Këshillit Inicues për formimin e nëndeges së LDK-së në Livoç të Ulët, në mënyrë që të kemi shtrirje të aktivitetit edhe në mesin tonë.
Që prej atëherë, Rexha ka qenë gjithmonë i gatshëm që të marrë mbi vete obligime dhe përgjegjësi në të mirë të mbarëvajtjes së aktiviteteve politike e shoqërore.
Në çdo mandat ka qenë anëtar i kryesis së Nëndegës në lokalitetin tonë, ku në vitin 1993 u zgjedhur kryetar i saj me unanimitet, duke e kryer me përgjegjësi dhe sukses atë punë.
Në vazhdim Rexha, duke e parë domosdoshmërinë e vetëfinancimit të institucioneve të Republikës së Kosovës pranoi të zgjidhet kryetar i Këshillit për Financim dhe ta kryej edhe punën e inkasantit.
Pas përkushtimit maksimal dhe me butësinë e aftësinë komunikuese të Rexhës, lokaliteti jonë radhitej në pjesën e lartë të listës komunale për kryerjen e obligimeve financiare të Republikës së Kosovës.
Veprimtaria në shërbim të Republikës së Kosovës filloi t’u shkonte në vesh organeve të sigurimit shtetëror serb, ku disa herë e morën në biseda informative deri te maltretimi i egër fizik, siç kanë ditur organet e sigurimit serb, por asnjeherë Rexha nuk ishte thyer.
Ajo që mund ta them me plotë gojën është se besnikëria, sinqeriteti, ndershmëria dhe guximi, ishin virtytet e tij si personalitet. I tillë ishte Rexha deri në çlirimin e Kosoves dhe deri sa me 30.06.2016 u nda nga jeta.
Ai ishte shembull se si duhet të jetë njeriu në raport me familjen, shoqërinë dhe kombin. I përjetshëm kujtimi per ty, miku im Rexhë.
(Autori është bashkëudhëtar i Rexhë Elezit dhe njëri nga njohësit më të mirë të veprimtarisë së tij)