Në prag të Ditës së Turqve të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi sot me përfaqësuesit e komunitetit turk në Kosovë për sfidat dhe mundësitë e këtij komuniteti.
Në tryezën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, kryeministri Kurti ndau me përfaqësuesit e komunitetit turk disa prej hapave të cilët qeveria i ka ndërmarrë për përmirësimin e mirëqenies së këtij komuniteti.
Angazhimi në punë i praktikantëve nga komunitetet, përfshirë atë turk përmes konkursit të hapur nga Zyra për Çështje të Komuniteteve dhe grantet që ofrohen nga Zyra për Çështje të Komuniteteve u vlerësuan si praktika të mira.
Vlerësimi i aplikimeve në thirrjen e parë publike për aktivitete kulturore, është në proces nga komisioni i pavarur, ndërsa dy thirrje të tjera do të hapen gjatë këtij muaji dhe gjatë verës. 1.5 milion euro do të ndahen për këto grante dhe do t’u jepet prioritet iniciativave ku përfaqësohen gratë dhe rinia.
Fuqizimi i rolit të Zyreve Komunale për Komunitete dhe Kthim u veçua nga Kryeministri, si hallkë kyçe për adresimin e sfidave, vështirësive, nevojave të jetës së përditshme të qytetarëve.
Duke e ditur rëndësinë e mësimit në gjuhën e juaj, qeveria jonë ka marrë vendim për pagesë të autorëve në mënyrë që tekstet shkollore në gjuhën turke të jenë në dispozicion për nxënësit tanë nga ky komunitet, tha kryeministri. Duke diskutuar për përdorimin e gjuhës turke si një prej sfidave kryesore, u tha se Zyra e Komisionerit të Gjuhës po punon në rastet që janë ngritur ku është evidentuar mohimi i të drejtës së qytetarëve turk për përdorimin e gjuhës së tyre në nivel komunal.
Ndër mundësitë kryesoret u theksua rritja e bizneseve turke. Kryeministri theksoi angazhimin për promovimin e këtyre bizneseve, si kontribuues të një të ardhme të suksesshme për vendin tonë.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues politikë të nivelit qendror dhe të nivelit lokal të komunitetit turk në Kosovë, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës Emilija Redžepi, Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve, Elizabeth Gowing, përfaqësues të organeve të ndryshme shtetërore, përfaqësues nga Këshilli konsultativ i komuniteteve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shërbyes civilë. /2LONLINE/