Në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, brenda një muaji janë kryer një numër i madh i operacioneve me nivel të lartë të ndërlikueshmërisë.
Mjekët kardiokirurgë, bashkë me anesteziologë dhe pjesën tjetër të stafit përcjellës, kanë operuar 8 pacientë, duke bërë zëvendësimin e dy valvulave, zëvendësimin e valvulës dhe të aortës ascendente (pjesa fillestare e aortës), si dhe zëvendësimin e aortës me riparim të valvulës.
Pacientet kanë qenë me kapacitet të reduktuar të zemrës, si pasojë e paraqitjes me vonesë për ndërhyrje kardiokirurgjike.
Operacionet janë kryer me sukses, ndërsa pacientët janë liruar në shtëpi me gjendje të mirë shëndetësore, pas periudhës post-operative, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës. /2LONLINE/