Drejtoria për Buxhet dhe Financa në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Kamenicës kanë mbajtur dëgjimin me qytetarë për Projekt-Buxhetin për vitin 2024 në fshatrat Hodonoc dhe Roganë.
Pjesëmarrës në këto dëgjime ishin: Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Liridon Kastrati, Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, Zyrtari Kryesor Financiar, Naser Hashani, zyrtarë të tjerë komunal përgjegjës për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore.
Drejtoresha Ardita Dërmaku ka prezantuar buxhetin për vitin 2024. Ajo ka kërkuar nga banorët e këtyre fshatrave që të paraqesin projektet e tyre, pasi që ata i dinë më së miri se çka kanë nevojë për lokalitetet e tyre.
“Arsyeja kryesore e këtij takimi është që përmes juve t’i marrim projektet prioritare që mendoni se janë të rëndësishme për vendet uaja, pasi që ju jeni ata që i dini më së miri këto prioritete. Vitin e kaluar ishim tek ju, ku i morëm prioritetet tuaja dhe pas përfundimit të dëgjimeve buxhetore përpiluam një raport me kërkesat të cilt kishin prioritet e të cilat i vendosëm në projekt buxhet. Ne krahasuar me vitin 2023 kemi rritje prej 17,48% për vitin 2024. Do të kemi rritje edhe në investime kapitale si dhe në subvencione”, ka thënë ajo.
I pari i komunës, Kadri Rahimaj, në fjalën e tij ka falënderuar banorët e këtyre fshatrave, duke thënë se në këto vende janë bërë projekte, të cilat banorët i kanë prezantuar vitin e kaluar në dëgjime.
“Ne vitin e kaluar kemi mbajtur 20 dëgjime buxhetore dhe këtë vit e kemi rritur numrin e dëgjimeve por është rritur edhe pjesënarrja juaj në krahasim me vitin e kaluar, andaj ju ftoj t’i paraqitni projektet, sepse sikurse vitin e kaluar që ju kemi dëgjuar dhe kërkedat tuaja i kemi vendosur në buxhet, këtë do ta bëjmë edhe këtë vit. Për herë të parë në Komunën e Kamenicës, buxheti është votuar nga të gjitha subjektet politike sepse kanë qenë të përfshira projektet e juaja, dhe presim edhe këtë vit të votohet. Komuna e Kamenicës fatmirësisht ka rritje buxhetore e sidomos tek kategoria e investimeve kapitale. Pra kemi rritje 100% dhe kjo nënkupton më shumë punë, më shumë projekte në Kamenicë”, ka thënë ai duke prezantuar punët që janë bërë vitin e kaluar.
Kërkesat që banorët e këtyre fshatrave paraqiten kishin të bëjnë me: asfaltim të rrugëve, kanalizim, ujësjellës, ndërtim të urave, ndriqim, zgjidhje për mirëmbajtje të varrezave, rregullim i çatisë dhe rrethojës së shkollës në Hodonoc, sallë sportive në Hodonoc, ndërtim të parqeve, pastrimi i shtratit të lumenjëve në Roganë, ndërtimi i çerdhes në Roganë, eleminimi i deponive ilegale për mbeturina në Roganë, zhvendosja e shtyllave elektrike nga rruga kryesore në Roganë, zgjidhje për nxënësit që po i bartin qantat e rënda në Roganë, shtëpi të kulturës në Roganë, një kuvend për të rinjët.
Të gjitha kërkesat e tyre u evidentuan dhe ato më me prioritet do të inkorporohen në projekt buxhet. /2LONLINE/