Sa herë që ka të reshura, në një pjesë të rrugës “Fadil Jakupi”, apo siç njihet ndryshe, rruga te “Pireva”, e që lidhet me qarkoren “Ramiz Cërnica”, nuk po mundësohet përthithja e plotë e ujërave atmosferikë, kështu që uji po qëndron i grumbulluar në disa pjesë, me ditë, edhe pas ndërprerjes të të reshurave.
Banorët e kësaj pjese thonë se janë në hall me këtë problematikë e cila shpërfaqet sa herë të kemi të reshura atmosferike, por se deri më tani nuk po gjendet një zgjidhje përkundër që për rastin, thonë se i kanë njoftuar autoritetet përkatëse në komunë.
Edhe, bizneset që operojnë në atë pjesë thonë se janë në hall pasi uji i grumbulluar përpara objekteve të tyre po u pengon në afarizëm, për rrjedhojë po u sjellë dëme materiale.
Kjo rrugë është ndërtuar para më shumë se dhjetë vitesh dhe se tani në atë pjesë janë shtuar dukshëm shtëpitë, që janë lidhur në rrjetin e kanalizimit ekzistues dhe duket se ajo nuk po mundet t’u përballojë, përfshirë ujërat atmosferikë, kur po ka reshje të mëdha dhe se nevojitet një zgjidhje urgjente.
Po ashtu, nëse nuk ndërmerren masa sa më shpejtë nga institucionet përkatëse do të kemi edhe dëmtime të rrugës, por edhe të trotuareve sepse edhe qarkullimi i veturave në atë pjesë, duke dashtë t’u iket ujit të grumbulluar, qarkullojnë edhe nëpër trotuare.
Qytetarët, por edhe afaristët në këtë anë mbesin me shpresë se komuna do të ndërhyjë sa më shpejtë për t’i gjetur zgjidhje kësaj problematike.
Përndryshe, raste të tilla ka edhe në pjesë tjera të qytetit të Gjilanit, si rrugës për “Zabel…”, që poashtu është me vite të tëra dhe nuk ofrohet zgjidhje, por edhe në ndonjë pjesë tjetër, prandaj institucionet përkatëse duhet trajtuar seriozisht dhe me urgjencë këtë problematikë që po i dëmton qytetarët, por edhe afarizmin. /2LONLINE/