Në Gjilan është vënë sot gurthemeli i Qendrës së Mjekësisë familjare për lagjen Arbëria, ku pos kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, si nikoqir i këtij aktiviteti, ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri si dhe Esam Dabab, drejtor gjeneral i organizatës Qatar Charity, që është donator i këtij projekti.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni në cilësinë e nikoqirit, pasi ka falënderuar kryeministrin, ambasadorin dhe drejtorin e Katar, për pjesëmarrje në këtë akt solemn, ka thënë se lagjja Arbëria, ku sot filloi ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, është një ndër lagjet më të mëdha të qytetit ku ka gravitim edhe nga zonat tjera të qytetit dhe fshatrat përreth.
“Janë diku rreth 20 mijë shërbime që ofrohen në vit në qendrën ekzistuese të Mjekësisë Familjare, me ç`rast me infrastrukturë të re, me mundësi më të mira, me kushte shumë më të favorshme, edhe cilësia e shërbimeve do të rritet, por sigurisht edhe numri i tyre”, ka thënë kryetari Hyseni.
Për më tepër, ai tha se ky është projekti i parë që po realizohet me këtë organizatë, ndërkohë që projekte të reja pret në të ardhmen. /2LONLINE/