DYLON

Kryetari Hyseni pret në takim kryeministrin Kurti, thotë se mori përkrahje për projektet zhvillimore për Gjilanin

Kryetari Hyseni pret në takim kryeministrin Kurti, thotë se mori përkrahje për projektet zhvillimore për Gjilanin
Avatar photo Redaksia

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorët, ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka njoftuar për punën e deritanishme, rezultatet, sfidat, problemet dhe projektet e të ardhmes.

Kryetari Hyseni e ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe mbështetjen e ofruar për Gjilanin.

EkoHigjiena

“Ajo që është me e rëndësishmja është që projektet zhvillimore të cilat i kemi dizajnuar dhe premtuar në kohë fushate, i kemi prezantuar para kryeministrit edhe për arritjet e deritanishme. Unë besoj e shpresoj që sikur deri më tani, edhe në të ardhmen do ta kemi mbështetjen e Qeverisë, në mënyrë që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarët dhe ta rrisim nivelin e mirëqenies përmes projekteve që garantojnë punësim dhe përparim”, ka thënë kryetari Hyseni.

Kurse, kryeministri i Kosovs, Albin Kurti, tha para gazetarëve se takimi i sotëm ishte takim për të mësuar të arriturat dhe rezultatet të qeverisjes së drejtë dhe të mirë gjatë kësaj kohe, por edhe për të mësuar për planet e për projektet në vijim.

“Prezantimi ishte i gjatë për shkak se të arriturat dhe punët janë të shumta, prej palestrës në Zhegër të cilës i ka ngelur vetëm edhe kulmi t’i qitet, pastaj tek shtimi i bursave për studentët për 150 për qind, rritja e buxhetit për sportin për 50 për qind e deri tek zvogëlimi i jashtëzakonshëm i borxhit që është gjetur këtu në Komunë prej 26 milionë euro. Ndërkaq, për vetëm dhjetë muaj janë zvogëluar 5 milionë euro borxh dhe kjo paralelisht me 6 milionë euro investime nga Komuna”, tha kryeministri Kurti.

“Duke pasur parasysh këtë qeverisje të drejtë dhe të mbarë, Qeveria e Republikës së Kosovës edhe më shumë është e inkurajuar që ta mbështesë Komunën e Gjilanit me projektet në vijim për të mirën e qytetarëve, pasi është edhe një lloj kryeqyteti i rajonit të Anamoravës”, ka shtuar ai.

Kryeministri Kurti theksoi, po ashtu, se me kryetarin Hyseni kanë biseduar edhe për kursimin e energjisë elektrike në prag të dimrit.

“Ai kursim edhe shpërblehet për qytetarët me masat që i kemi ndërmarrë në kuadër të pakos së përballjes me inflacion”, ka shtuar ai.

Paraprakisht, kryeministri Kurti ka vizituar edhe fabrikën për prodhimin e ëmbëlsirave “Bujana”.

“Ëmbëlsirat këtu janë të shkëlqyeshme. Është me të vërtetë krenari kur e sheh një biznes i cili me prodhimtari vendëse ka arritur në periudha të caktuara që të ketë rreth 50 punëtorë e të shesin në mbi 250 pika anë e mbanë Kosovës”, tha me këtë rast kryeministri Kurti, teksa ka falënderuar pronarët për punësimin e dy personave me sindromën down.

Ndërkaq, kryetari Hyseni ka përgëzuar fabrikën për prodhimin e ëmbëlsirave “Bujana” për suksesin e madh në tregun Kosovës, duke uruar që të jetë operuese edhe në eksport.   /2LONLINE/