DYLON

Kryeministri Kurti viziton ShSKUK-në, ofron mbështetjen e tij për këtë institucion

Kryeministri Kurti viziton ShSKUK-në, ofron mbështetjen e tij për këtë institucion
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mëngjesin e sotëm, vizitoi Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). I shoqëruar nga ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ai u prit nga ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, Kryesuesja e Bordit Drejtues të këtij institucioni, Aida Rexhepi dhe Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija.

Kryeministri Kurti fillimisht përgëzoi stafin e ShSKUK-së për shërbimet që ofron për pacientët anë e mbanë pa asnjë diskriminim. Gjatë takimit u diskutua për punën dhe sfidat e këtij institucioni si dhe nevojën për investimet në infrastrukturë.

EkoHigjiena

ShSKUK ofron shërbime për qytetarë të Republikës anë e mbanë pa diskriminim. Ky institucion në mënyrë të rregullt furnizon me barna 16 mijë e 500 pacientë me sëmundje kronike dhe me tri lloje të insulinave 15 mijë e 231 pacientë me diabet. Në të njëjtën kohe, përveç në Qendrën Klinike Universitare, kujdeset për mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor nëpër spitalet rajonale.

Ai tha se ShSKUK-ja furnizon me barna nga lista esenciale 70 për qind, me material shpenzues 90 për qind dhe se mbetemi të përkushtuar që ta rrisim edhe rregullin e disiplinën por edhe shërbimin që të shkojmë drejt 100 për qindëshit. “Pra jemi të vendosur të punojmë bashkë edhe mirë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Me këtë vizitë, ai shprehu mbështetjen e tij për ShSKUK-në, për ushtruesen e re të drejtores së ShSKUK-së, Dr. Pranvera Zejnullahu – Raçi, por edhe për Drejtorin e Njësisë së Auditimit, z. Musa Vitija, të cilit dy herë radhazi i është djegur vetura në oborrin e ShSKUK-së.

Duke folur për djegien e veturës së z. Vitija, kryeministri Kurti tha se gjetjet e sakta të auditimit nga drejtori i kësaj Njësie, ku janë evidentuar shkelje, duket që i ka shqetësuar të korruptuarit, të cilët janë fort të brengosur se si do të vijohet më tej me procedimin e këtyre shkeljeve. Kryeministri e përgëzoi z. Vitija për kurajën, që të dalë në punë edhe pas këtyre sulmeve.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti shprehu dhe indinjatën e tij për dy kompani, të cilat nuk ishin në nivel të detyrës. Bëhet fjalë për kompaninë e sigurimit fizik “Security Code” dhe kompaninë “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e hapësirave të oborrit nëpërmjet kamerave, që në ditën kur u dogj vetura e drejtorit Musa Vitija, nuk ishin në funksion.

Kryeministri Kurti tha se njerëz si Musa Vitija, i cili dy ditë pas djegies së veturës kthehet në punë, i duhen shtetit. “Këta janë ata zyrtarët, të cilët e shërbejnë qytetarin dhe e mbrojnë republikën”, shtoi kryeministri Kurti, i cili u zotua se do të bëjnë gjithçka që munden e dinë në mënyrë që rastet e tilla jo vetëm të mos përsëriten, por edhe ata kriminelë, të cilët e dogjën veturën në oborr të spitalit, të shkojnë në burg.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi u shpreh se ndjehen të nderuar me vizitën e kryeministrit Kurti dhe e shohin këtë vizitë si shenjë përkrahje për punën e deritanishme dhe mbështetje për ato që mëtojmë t’i bëjnë. Ajo po ashtu e falënderoi kryeministrin edhe për mbështetjen në raport me rastin që ndodhi të premten e kaluar. Në lidhje me këtë, ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së tha se ka kërkuar nga persona kompetent, që kanë në varësi shërbimet teknike, raport të detajuar për të gjitha hallkat e dështimit, si dhe ka kërkuar që brenda javës të merren masa urgjente për sigurinë e objekteve. Më tej, zonja Zejnullahu-Raçi tha se gjatë takimit që u zhvilluar sot, kryeministri Kurti u njoftua për veprimet dhe përpjekjet që të vendoset rend në klinika dhe të përmirësohen shërbimet shëndetësore. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.