Nën organizim e Shoqatës së Bletarëve “Gjilani” në Gjilan u mbajt trajnimi i radhës për bletarë, ku ligjërues ishin emra eminent të fushës së apikulturës: Dr. Pashun Memishaj, mjek veteriner dhe bletërritës me përvojë 40-vjeçare, si dhe Ferdinand Muskaj, bletërritës shumë i suksesshëm nga Fieri.
Në këtë trajnim morën pjesë mbi 60 bletarë nga vende të ndryshme, si Gjilan, Kamenicë, Viti, Bujanoc, si dhe mysafirë, kolegë bletarë nga Deçani dhe Suhareka.
Dr. Memishaj foli për disa tema të ngritura nga bletarët, si: zhvillimi i bletarisë në Kosovë dhe Shqipëri, rëndësia e kurimit të bletëve kundër sëmundjeve të varrotozes, nozemozes, pestave etj. Ndërsa z. Muskaj trajtoi rëndësinë e ndërrimit të mbretëreshave tek bletët, duke ndarë përvojën e tij.
Në fund, z. Fatmir Maliqi nga Sh.B. “Gjilani” falënderoi mysafirët nga Shqipëria dhe bletarët e pranishëm, duke theksuar se angazhimi për zhvillimin e bletarisë nuk do të mungojë.
Kryesia e Shoqatës falënderon pronarin e Vip Lounge Bar, Fatmir Daku, për mbështetjen e madhe të ofruar për shoqatën, duke shtruar darkë për mysafirët. Gjithashtu, një falënderim shkon për Drejtorinë e Bujqësisë dhe udhëheqjen e Bibliotekës së Qytetit për sigurimin e sallës për organizimin e trajnimit.
Shoqata e Bletarëve “Gjilani”