Me homazhet në varrezat e dëshmorëve dhe tek lapitarët në qytet, Komuna e Gjilanit ka hapur zyrtarisht manifestimin shumëkulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, i cili është i 27-ti me radhë dhe organizohet për një muaj rresht, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri.
“Sot shënojmë kryengritjen e parë të viteve 80-ta. Rexhep Mala e Nuhi Berisha në Prishtinë u kryengritën për të na mësuar se si duhet të luftohet për drejtësi e liri. Jam i nderuar që në kuadër të këtij manifestimi pritet të hapet në Gjilan edhe Konsullata e Nderit të Republikës së Shqipërisë dhe edhe më shumë po begatohet ky aktivitet. Ky 27-vjetor i “Flakës së Janarit” është simbolika më e madhe se si duhet të nderojmë dhe respektojmë ata që kanë dhënë më të shtrenjtën”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri pas homazheve.
Ai tha se Komuna e Gjilanit këtë vit ia ka kushtuar heroit Skënderbeu, në përvjetorin e madh të vdekjes dhe 50-vjetorin e kryengritjes për flamur.
“Ne po presim që ky manifestim të respektoj nivelin kombëtar. Gjilani mbetet selia kulturore e këtij manifestimi, por edhe më tutje duhet të shtrihet në të gjitha nivelet. Dita e parë e 11 janarit shënon nderimin për të gjithë dëshmorët. Ky vit i kushtohet heroit të shqiptarëve, Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes dhe 50-vjetorit të kryengritjes së shqiptarëve për përdorimin e Flamurit”, ka shtuar Haziri.
Gjatë ditës, kryetari Haziri do të vizitoj edhe Batalionin e Parë të Brigadës së Reagimit të Shpejt të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gjilan.