Futbollisti më në formë i Kosovës, Vedat Muriqi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Bernard Challandes për dy ndeshjet e radhës.
Ndonëse, ishte grumbulluar me futbollistët e Kosovës, Muriqi nuk ka arritur ta kalojë lëndimin dhe kështu do të mungojë kundër Çekisë dhe Anglisë.
Mungesën e Muriqit në këto dy ndeshje e kanë kuptuar edhe çekët.
Faqja e futbollit çek në ‘Twitter’, “Czech Football” ka shkruar se mungesa e Muriqit do të jetë një goditje e madhe për Kosovën.
“Kosova do të përballet me Republikën çeke pa Vedat Muriqin, i cili është në formë të mirë në vitin 2019 me klubin dhe Përfaqësuesen, duke shënuar në katër ndeshje eliminatore.
Goditje e madhe për Kosovën pasi Muriqi ka ‘torturuar’ mbrojtjen tonë me sprintat e tij. Rashica pritet të luajë në vend të tij”, shtoi më tej ‘Czech Football’, thuhet në njoftim.