Në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) sot është miratuar dorëheqja e Komesarit të Garave, Faton Kurshumlija, ndërsa ushtrues detyre në këtë pozitë është emëruar Burim Koshi.
“Miratohet kërkesa e z. Faton Kurshumlija për lirim të përkohshëm nga detyrat e Komesarit të Garave për arsye personale, deri në një vendim tjetër të Bordit Ekzekutiv”, thuhet në vendimin e FBK-së, i cili vijon: “Z. Burim Koshi, anëtar i deritanishëm i Bordit të FBK-së, punëtor shumëvjeçar i basketbollit, ish-gjyqtar dhe delegat, ngarkohet me detyrat e ushtruesit të detyrës së Komesarit të Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës, deri në një vendim tjetër të Bordit Ekzekutiv”.
BE i FBK-së e ka falënderuar Kurshumlinë për kontributin e dhënë, ndërsa Koshit i ka uruar sukses në detyrën e re.