Ndeshja ndaj Kosovës do të jetë e veçantë për dy lojtarë të përfaqësueses së Italisë në hendboll. Ata do të jenë përballë përfaqësueses së vendit të tyre të lindjes. Bëhet fjalë për vëllezërit Ardian e Endrit Iballi, që janë pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Italisë.
Ardiani është i lindur në vitin 1994 dhe luan në pozitën qendër. Madje është qendra kryesore në përfaqësuesen italiane, përgjegjës për të organizuar lojën e ekipit.
Kurse, Endriti është i lindur në vitin 1999 dhe luan në pozitën e pivotit. Vëllezërit Iballi janë pjesë e skuadrës Conversano, që është prej kryesoreve në kampionatin italian.
Ndeshja Italia – Kosova luhet të premten më 10 janar në Benevento të Italisë. Ndeshja i takon Grupit 3 të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2021.
Në grup janë edhe Rumania e Gjeorgjia, ndërsa vetëm fituesi i grupit avancon tutje. Kosova, njëjtë si Italia, ka synime të fitojë grupin. Me gjasa të mëdha llogaritet edhe Rumania.