Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi do ta procedojë në Kuvend për të parë nëse ka vullnet ky institucion t’i nxjerrë qytetarët e vet nga izolimi me përkrahje të BE-së dhe të ShBA-së.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Mustafa ka theksuar se, në rast të kundërt, Kuvendi do t’u nënshtrohet politikave populliste, folkloriste dhe kauzave të rrejshme të individëve të caktuar, duke rrezikuar partneritetin me BE-në dhe ShBA-në.
I pari i Qeverisë ka thënë se i kanë ofruar të gjitha argumentet për demarkacionin se Kosova nuk e humbet asnjë metër katror. Sa i përket mocionit të opozitës për mosbesim ndaj Qeverisë, kryeministri ka pohuar se opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë.
Mustafa ka bërë me dije se LDK-ja është e përkushtuar ta përmbushë plotësisht marrëveshjen e koalicionit me PDK-në, duke ia kujtuar kësaj të fundit se nuk kanë bërë koalicion për zgjedhje të parakohshme, por për të punuar.
BURIMI: Epoka e Re