Kreu komunal i Gjilanit Qemajl Mustafa i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe zyrtarë të tjerë kanë vizituar Gjimnazin ‘Zenel Hajdini”, shkollën e mesme ekonomike, shkollën e mesme teknike si dhe shkollat fillore “Selami Hallaqi” dhe “Thimi Mitko”, ku drejtuesve të këtyre shkollave u kanë premtuar përkrahje të mëtejshme që këto institucione arsimore të ecin para.
Kreu i komunës Mustafa gjatë vizitës në Gjimnaz ka thënë se është i kënaqur me nivelin dhe rezultatet e këtij Gjimnazi , përndryshe ai u shpreh se për komunën të gjitha shkollat, i gjithë sistemi i arsimit në Gjilan, është i rëndësisë së njëjtë dhe në atë mënyrë do të trajtohet.
“Uroj fillim të mbarë të këtij viti shkollor, i cili sikur edhe në dy vitet e kaluara po nis me përgatitjet e duhura edhe në infrastrukturë fizike edhe në përgatitje morale dhe funksionale dhe edhe sa i përket kuadrit “, ka thënë Mustafa.
Ai tha se përkushtimi për arsimin do të jetë ditor, dhe se kjo ka ndodh edhe në dy vitet e mëparshme dhe po ndodh edhe tani. Mustafa ka lavdëruar drejtorin e DKA-së për përkushtimin e tij që ky vit të nis mirë dhe mbarë,
Mustafa tha se me pritjet, përkushtimet dhe prioritetet që i janë dhënë arsimit, ky vit të jetë edhe më i suksesshëm se sa viti që shkoi. Ai tha se pret rezultate edhe më të mira nga shkollat për të qenë konkurrues me shoqëri tjera dhe edhe më larg.
Drejtori i DKA-së Bujar Nevzati ka uruar vitin e ri shkollor duke u shprehur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillim të mbarë. “Vetëm dy shkolla nuk kanë filluar sot, ndërsa në të gjitha shkollat tjer mësimi ka filluar me kohë.
Ai ka falënderuar drejtuesit e komunës, subjektin e tij politik, që udhëheq me Gjilanin, për faktin që nuk kanë intereferuar tek ai me rasti e zgjedhjes së kuadrit, e cila, siç u shpreh ai, është bërë në mënyrën më të mirë nga komisioni i cili ka punuar plotësisht i pavarur.
Ndërsa Mehmetali Rexhepi drejtor i Gjimnazit por edhe drejtues e shkollave tjera që janë vizituar, thanë se janë mobilizuar për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor në të gjitha pikëpamjet dhe nisma është e mbarë.
“Jemi të përkushtuar sepse është imperativ i kohës që të kemi cilësi dhe ngritje dhe këtë do ta bëjmë dhe do të duken edhe rezultatet që presim të jenë bindëse”, ka thënë Rexhepi.
Përndryshe, komuna e Gjilanit, ka një armatë shkollarësh me mbi 27 mijë nxënës dhe me mbi 2 mijë personel arsimor, /2lonline/