Komuna me participim edhe të qytetarëve do të asfaltojë rrugën në Rogaçicë

Qytetarët e Rogaçicës kanë mirëpritur këtë iniciativë duke treguan gatishmërinë e tyre për participim në shumën e parallogaritur, duke treguar kështu vullnetin e tyre për të përkrahë çdo iniciativë që është në të mirë të tyre dhe të komunës.

Kreu i komunës Shaip Surdulli ka thënë se gatishmëria për investime dhe realizim të projekteve në të mirë të qytetarëve ekziston përherë dhe në çdo pjesë të Kamenicës mirëpo pengesë kryesore ende vazhdon të jetë buxheti i kufizuar i komunës gjë që po sjell probleme të shumta sidomos kur është fjala e participimit të qytetarëve.

“Ne jemi pro lehtësimit të qytetarëve sidomos në participim, por, kjo është edhe si kriter i kamotshëm sidomos nga investitorët e jashtëm. Prandaj, unë ju falënderoj që keni shprehur gatishmërinë tuaj për këtë gjë. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të investojmë në Rogaçicë sidomos në rrjet të kanalizimit dhe investime tjera primare”, ka thënë Surdulli.

Ndërsa Satmifer Kryeziu, këshilltarë komunal i Kamenicës nga LDK, njoftoi të pranishmit rreth formimit të komisionit i cili do të punojë rreth grumbullimit të mjeteve financiare për participim në këtë projekt.

Rreth 40 % e mjeteve do të grumbullohen nga banorët e kësaj pjese që numëron rreth 250 shtëpi, ndërsa pjesa tjetër e shumës do të ndahet nga buxheti komunal.

Ndërsa, Besnik Rrudhani, këshilltarë nga radhët e LDD-së ka kërkuar nga kryetari Surdulli që në të ardhmen participimi i qytetarëve të jetë sa më i ulët duke u bazuar në gjendjen e rëndë ekonomike të tyre.

Po ashtu kërkoi që mjetet e ndara për renovimin e ambulancës së fshatit të riaktivizohen dhe sa më parë të fillojë renovimi i saj. Mirëpo, rreth kësaj çështje kryetari Surdulli tha se do të angazhojë ekspertë komunal që edhe njëherë të bëhet vlerësimi i pjesës së ambulancës që duhet të rinovohet dhe të caktohet shuma e saktë e mjeteve të nevojshme. /2lonline/

KOMENTE

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0