“Prania aktive dhe përkushtimi i Kryetarit të Komunës në të gjitha punët dhe projektet po ndihmon në monitorimin dhe drejtimin e proceseve të ndryshimit infrastrukturor. Kjo sjellje kontribuon në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe efikas të komunës së Gjilanit. Infrastruktura e zhvilluar modernizohet pothuajse vazhdimisht, e përfshirë në rritjen e qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët dhe vizitorët”, ka thënë Arbër Musliu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton 2LONLINE.com.
Musliu ka përmendur projektin për asfaltimin e rrugës Burincë-Lipovicë, i cili, siç thotë ai, ka një vlerë prej 345,685.50€, ka filluar punimet me sukses. Rruga, me gjatësi prej 2635 metrash dhe gjerësi 5 metra, është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore në këtë zonë. Ky projekt jo vetëm që do të lehtësojë qarkullimin, por edhe do të sjellë një përmirësim të dukshëm të cilësisë së jetës për banorët e fshatrave të prekur.
Po ashtu ai përmend edhe punimet në ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve në fshatin Gadish, të vlerës mbi 98 mijë euro, që kanë filluar me sukses. Rrugët, me gjatësi prej 1370 metrash, po zhvillohen për të përmirësuar qarkullimin dhe përfshirjen e banorëve. Shpejt do të jenë gati për t’u përdorur dhe do të sjellin një ndryshim të ndjeshëm për komunitetin e fshatit Gadish.
Anëtari i KK-së nga radhët e Vetëvendosjes thotë tutje edhe se projekti i asfaltimit të rrugës Ballancë-Kravavricë, me vlerën 125,765,49€ dhe gjatësinë 1300 metra, po ndihmon në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë. Në të njëjtën kohë, projekte të tjera po zhvillohen për të avancuar zhvillimin e qytetit të Gjilanit.
‘Projekti për rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore në lagjet e qytetit, duke përfshirë asfaltim, kanalizim fekal dhe atmosferik, është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së jetës për banorët. Rrugët Vaqe Zela dhe Hetë Koka, me gjatësi prej 524 metrash, janë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm. Kostoja totale e projektit është 105,936.78 euro”, thotë Arbër Musliu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /2LONLINE/