Ballkani regjistroi edhe fitoren e dytë radhazi në stinorin pranveror në kuadër të Superligës. ‘Portokallinjtë’ triumfuan me rezultat të pastër 3-0 ndaj Ferizajt në shtëpi, për të kryesuar kështu te vetem kampionatin.
Kryetrajneri i kësaj skuadre, Ismet Munishi, ka mbetur i kënaqur me atë se çfarë treguan futbollistët e tij në fushën e lojës.
“Rezultati është i kënaqshëm, megjithëse kemi ende gjëra për ti përmirësuar. Ferizaj sot zhvilloi një ndeshje të fortë dhe kjo është normale. Ne duhet të mësohemi të luajmë ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht mënyrës se si ata luajnë. Futbollistët u ankuan te gjyqtari pas pjesës së parë, por u kam thënë që futbolli është lojë e burrave dhe ata duhet të përballen me të”, deklaroi Munishi për “Super Sport Kosova”.
Ai zbuloi gjithashtu edhe arsyen pse largoi Arbër Prekazin nga formacioni, ndonëse qendërmbrojtësi mitrovicas ishte paraparë që ta startonte ndeshjen nga minuta e parë.
“Largimi i Arbër Prekazit nga formacioni para ndeshjes u bë për çështje teknike. Ai kishte tre kartonë të verdhë dhe nuk deshëm që ta rrezikojmë për ndeshjen e radhës ndaj Prishtinës. Fati jonë është që kemi tre qendërmbrojtës tejet kualitativ si Arbër Prekazi, po ashtu edhe Visar Berisha e Egzon Sinani”, shtoi Munishi.
Më pas tekniku i njohur kosovar foli edhe për ndeshjen e radhës ndaj FC Prishtinës, të cilën e konsideroi si tejet të rëndësishme, por beson që skuadra e tij është në përparësi.
“Besoj se do të jetë një ndeshje e fortë, pasi që takohen dy skuadrat që po luajnë futbollin më të bukur në Superligë. Fusha do ta dëshmojë më së miri se cila skuadër do të jetë më e fortë, por besoj që jemi në përparësi ndaj Prishtinës, pasi që kemi luajtur deri më tani me kundërshtarë më të vështirë. Shpresojmë se do të jetë një ndeshje e mirë dhe do të vijnë shumë tifoz”, theksoi tekniku i Ballkanit.
Ai më pas tregoi gjithashtu pse vendosi që penaltinë e fundit në ndeshje ta ekzekutojë ‘gardiani’ Armend Ruxhi.