Po e citojë axhën Sami, në diçka që e përmend pothuajse në çdo tubim të Lëvizjes, e që është mëse e vërtetë. “Ne jemi të prirur që në duart e fëmijëve tanë të lëmë gjithçka, pos librave”, thotë ai, e që fatkeqësisht do të duhej të na vinte turp për këtë.
Shkruan: Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kandidate për Asamble Komunale nga Lëvizja Vetëvendosje!
Gjithmonë, që nga paslufta, çdo qeverisje e ardhur në pushtet e ka pasur arsimin prioritet, por për çudi ka rastisur që pikërisht arsimi të mos shkojë asnjëherë përpara. Gjithmonë që nga paslufta, çdo qeverisje e ardhur në pushtet e ka pasur prioritet shtyllën e ndërtimit dhe zhvillimit të një shteti, atë të ofrimit të kushteve për edukimin e brezave, por çuditërisht kjo shtyllë mbeti vetëm si plan në letër, e nuk u ndërtua asnjëherë.
Gjatë këtij muaji të fushatës, kemi pasur rastin të vizitojmë pothuajse çdo shkollë, si në qytet, po ashtu edhe në fshatra, por askund asnjëherë nuk e pamë një kënd të leximit, të pasuruar me tituj të ndryshëm. Ajo çfarë pamë, ishin objekte të shkatërruara shkollore, klasë me mungesë madje edhe të karrigeve, në shumicën e shkollave të fshatrave ende edhe sot po gjendeshin koftorët për ngrohje gjatë stinës së dimrit, si dhe kundërmimi i tmerrshëm që vinte nga tualetet.
Vallë, a jemi të vetëdijshëm ne se në çfarë kushtesh vijojnë mësimet fëmijët tanë? A nuk mjaftojnë këto që t’ia mbyllim derën atyre, që për vite e vite vetëm premtuan, e nuk e realizuan asnjë premtim që e dhanë? A nuk mjaftojnë këto që t’i ndëshkojmë ashtu siç mundemi vetëm ne si qytetarë, duke mos ia dhënë mundësinë as edhe një herë tjetër të luajnë me paratë tona, të pasurohen mbi kurrizin tonë dhe të shkelin mbi djersën e çdo punëtori, që nuk ndalet vetëm për të sjellë kushte më të mira për fëmijët e tyre.
Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje! në Gjilan dhe kryetari ynë i ardhshëm Sami Kurteshi, nuk premtoi asnjëherë asgjë para qytetarëve, por bëri 20 zotime, të cilat pritet t’i përmbushë gjatë mandatit katër vjeçar. Këto janë zotime, janë fjalë e dhënë, janë besë që iu dha qytetarit, e në mesin e këtyre zotimeve, padyshim që është edhe sigurimi i infrastrukturës bazike të shkollave, i hapësirave të reja si dhe pajisja me biblioteka e kënde të leximit.
Sepse Sami Kurteshi nuk është kryetar që vjenë e shkon, por është kryetar që vjenë, i përmbushë zotimet e veta, i realizon kërkesat e qytetarëve dhe nuk shkon, sepse vet ju do ta kërkoni edhe për një mandat të ardhshëm.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje!, vazhdon të jetë e vetmja shpresë dhe e vetmja e ardhme e këtij vendi, mbështetja e sinqertë e së cilës po shihet në çdo tubim, në çdo takim, në çdo vizitë.
Prandaj, fitorja e madhe e 22 tetorit, është e padiskutueshme.
E sponsorizuar nga Arbëreshë Kryeziu Hyseni