Një delegacion prej 25 biznesesh nga sektorë të ndryshëm të Kosovës iu bashkuan nismës së Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programit Kosovo Compete të USAID, për promovim të mundësive për investime dhe bashkëpunim ekonomik para përfaqësuesve të bizneseve të diasporës që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në dy aktivitete të ndara rrjetëzuese dhe të takimeve biznes me biznes, afaristët nga Kosova dhe nga diaspora në SHBA eksploruan mundësitë e bashkëpunimit në industri të ndryshme si ajo e përpunimit të ushqimit, ndërtimit dhe teknologjisë së informacionit.
Përfaqësuesve të bizneseve nga Kosova dhe nga SHBA iu adresuan me fjalime Zëvendës Ndihmës Administratorja e Lartë e USAID-it, Lisa Magno, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, Blerim Reka, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka. Ndërsa Roland Nezaj nga kompania RLN US LLP dhe Atdhe Deva nga Tech Fusion Ventures, folën për përvojën e tyre të investimit në Kosovë, si investitorë nga Diaspora.
Po ashtu, drejtuesit e lartë të USAID dhe të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë mbajtën edhe një tryezë diskutimi me përfaqësues të dalluar të komunitetit afarist shqiptar në SHBA, për të diskutuar lidhur me mundësitë dhe sfidat që karakterizojnë sfidën e investimeve në Kosovë, prej të cilës tryezë u gjeneruan rekomandime të vlefshme. /2LONLINE/