Sot, Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Dr. Arben Vitia vizitoi Qendrën Klinike Universitare Stomatologjike të Kosovës, ku pa nga afër fillimin e shërbimit për përdorimin e sedacionit inhalatorë me N2O/O2 në praktikën stomatologjike të shërbimit stomatologjik pediatrik, shërbim ky që funksionalizohet për herë të parë në Republikën e Kosovës dhe njëherit i vetmi në rajon në sistemin publik të shërbimeve dentare, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ministri Vitia theksoi se në fokus të politikave shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë janë shërbimet stomtologjike për fëmijët, me theks të veçantë programet edukative, preventive dhe ato terapeutike.
“Ndihem i lumtur që sot jam në mesin tuaj me rastin e fillimit të këtij shërbimi kaq të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët të cilët nga ankthi, frika dhe nga procedurat të tjera stomatologjike u pamundësohet qasja në shërbime stomatologjike dhe si pasojë e dhëmbëve të prishur u cenohet edhe rritja dhe zhvillimi i tyre”, tha Vitia.
Po ashtu, Vitia theksoi se në bazë të raporteve të marra nga shërbimet primare në nivel vendi, gjendja e shëndetit oral te fëmijët në vendit tonë është jo e kënaqshme dhe nga kjo, në bashkëpunim me Odën e Stomatologeve të Kosovës do të hartohet Strategjia Nacionale për Shërbimet Stomatologjike, ku kjo strategji do të ketë në fokus të veçantë, edukimin mbi shëndetin oral, shërbimet preventive dhe shërbimet konzervative ndaj fëmijëve në moshën e re.
Sedacioni inhalator për pacientin nuk shkakton analgjezion të plotë, por ka për qëllim: Reduktimin e frikës dhe ankthit gjatë trajtimit; rritjen e pragut të ngacmueshmërisë së dhimbjes; minimizimin e lëvizjeve të padëshirueshme dhe reagimet ndaj trajtimit stomatologjik, si dhe përmirësimin e komunikimit dhe kooperimit të pacientit, thuhet në njoftimi ne MSH-së. /2LONLINE/